Aktualitet

Qytetarja denoncon BKT: “Bankomati më mbajti paratë, më kërkuan të pres 2-3 javë për verifikimin”

Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një problem që, sipas saj, ka prekur disa bankomatë të BKT-së në zonën e Rrugës së Dibrës dhe Medresesë.

Sipas saj, fillimisht tentoi të depozitonte para në një ATM të BKT-së, por një prej kartëmonedhave u mbajt nga pajisja për verifikim dhe procesi i depozitimit dështoi.

Më pas, qytetarja thotë se provoi të kryente një tjetër depozitim përmes ePara, por edhe këtë herë bankomati mbajti shumën e depozituar, ndërsa transaksioni nuk u realizua.

Në fotografinë e dërguar në redaksi, në ekranin e ATM-së shfaqet një mesazh gabimi që tregon se pajisja ka pësuar një problem teknik.

Sipas denoncueses, pas kontaktit me shërbimin e klientit të BKT-së, iu komunikua se rasti do të verifikohej dhe, nëse konstatohej se shuma ishte mbajtur nga bankomati, paratë do t’i ktheheshin pas minimumi 2 deri në 3 javësh.

Qytetarja shprehet se kjo nuk është një zgjidhje normale, pasi, sipas saj, bankomatët përdoren për nevoja urgjente dhe jo për komoditet.

“Kërkojmë minimalisht një njoftim kur bankomatët janë jashtë funksionit, një shërbim klienti më korrekt dhe një sistem depozitimi më të sigurt. Nuk bëhej fjalë për 50 apo 100 euro, por për një shumë më të madhe. Nuk jam e vetmja që hasa këtë problem sot dhe shpresoj që ky denoncim të shërbejë që qytetarë të tjerë të mos përballen me të njëjtën situatë”, shkruan ajo.

Denoncuesja shton gjithashtu se nuk ka arritur të marrë përgjigje nga shërbimi i klientit i ePara.

JOQ Albania fton BKT dhe ePara të japin një reagim lidhur me këtë denoncim dhe të sqarojnë nëse ka pasur probleme teknike me bankomatët në zonën e Rrugës së Dibrës dhe Medresesë, si edhe çfarë masash po merren për zgjidhjen e situatës.