Aktualitet

Zhvillohet në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane ceremonia tradicionale e ashures

Ceremonia zyrtare nis në orën 10:30. Ritet e Ditës së Ashures, drejtohen nga Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj

Nga Nuri ÇUNI

Dita e premte, 26 qershor 2026, është një ditë e shënuar për bektashinjtë e mbarë Botës, pasi është dita e Ashures. Besimtarë e dashamirës të shumtë, që në orët e para të kësaj dite, do të vijnë në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në Tiranë, për të kryer ritet përkatëse e përkujtuar këtë ngjarje të rëndësishme. Ceremonia organizohet pas ditës së dhjetë të agjërimit të Matemit, në kujtim të 72 martirëve, luftëtarëve të Qerbelasë.

Nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Shenjtërisë së Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, që do të udhëheqë dhe ritet e kësaj dite të shenjtë, janë marrë të gjitha masat. Si çdo vit, pritet të vijnë qindra besimtarë, klerikë bektashianë, e të besimeve të tjerë fetarë, personalitete të fushave të ndryshme, ministra deputetë e funksionarë shtetërorë, të ardhur nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe besimtarë e dashamirës nga komunitete shqiptarësh që punojnë e jetojnë në vende të ndryshëm të botës. “…Sot, këtë të premte të bekuar, është Dita e Shenjtë e Ashures. Sot e gjithë bota myslimane përkujton rënien e Imam Hysenit në fushën e Qerbelasë, të 72 martirëve që u flijuan për të vërtetën, për njerëzimin, pastërtinë shpirtërore dhe humanizmin. …Profeti (a.s) na thotë se Muharremi është një muaj i shenjtë, dhe si i tillë mëkatet e kryera gjatë Muharremit peshohen shumë më tepër se çdo herë tjetër dhe veprat e mira shpërblehen më bujarisht. Ai (a.s.) na nxiti që të agjërojmë brenda Muharremit, siç bëri edhe ai vetë, duke promovuar virtytin e këtij muaji. Muharremi është muaji i drejtësisë dhe i së vërtetës, kur Imam Husseini dha jetën pikërisht për to. Kjo gjithashtu mund të lidhet me mënyrën se si Musai (as) dhe Nuhu (as) të dy individualisht folën kundër adhurimit të idhujve të rremë dhe i çuan njerëzit e tyre drejt shpëtimit me mëshirën e Zotit, drejt të vërtetës dhe drejtësisë, të cilat gjithmonë do të triumfojnë mbi gënjeshtrën. Zoti ju shpërbleftë ju, që e doni Pejgamberin e Tij dhe familjen e Profetit. Zoti ju pranoftë agjërimin. Ju pranofshin lutjet dhe agjërimet në këtë ditë të 10-të të Muharremit. Dëshira ime për ju është që kjo Ashure të jetë e mbushur me mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

MATEMI DHE ASHURJA

Deri ditën e  Ashures bëhet Matemi, e cila është agjërimi i zisë ose zija përkujtimore. Agjërimi i bektashinjve dhe të tjerë tarikatesh alevian që zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit ( Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit mysliman). Gjatë këtyre ditëve besimtarët bektashian, mysliman dhe alevian kudo që ndodhen në botë për 10 ditë me radhë përkujtojnë në shenjë zie e respekti për 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela me në krye Imam Hysenin, në shekullin e shtatë m. K. ( afërsisht 20 tetor të vitit 680 m. K. në Irak). Këto ditë bektashinjë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme ku drejtuesit  lexojnë me zë të lartë Hadikanë, bëjnë ritualin e përditshëm duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë. Për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore.

Natën e parë u kushtohet vuajtjet e profetëve: Ademin, Nuhun, Ibrahimin, Jusufin, Musain dhe Krishtin, të dytën për Profetin Muhamet, të tretën për Imam Aliun, të katërtën për Imam Hasanin, të pestën për Imam Hysenin ( lindja dhe jeta e tij), të gjashtën për Imam Hysenin ( ikja e tij nga Medina në Mekë), të shtatën për Myslym Akilin ( vrasja e tij dhe dy djemëve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin), të tetën për Imam Hysenin ( nisja e tij për në Kufë), të nëntën për Imam Hysenin ( mërritja në Qerbela) dhe natën e dhjetë për  Imam Hysenin ( martirizimi i tij dhe dëshmorët e tjerë). Në këto ditë nuk pihet ujë, etj.

IMAM HYSENI

Fëmija i dytë i Imam Aliut dhe Fatimesë, u lind në datën tre të muajit Shaban të vitit të katërtë Hixhri në qytetin e Medinës të Arabisë. Roli i tij në jetën islame  ka filluar shumë herët. Ka marrë pjesë krah për krah me babanë Imam Aliun në luftërat: Xhemelit, Sifinit, Nehrevanit. Në kohën e  vëllait të tij Hasanin përjetoi të gjitha ndodhitë. Bashkë me të vëllanë dhe Eheli  Bejtin në Medinë punuan për mbrojtjen e islamit. Në një  hadith të  profetit thuhet: “ Hyseni është prej meje dhe unë jam prej Hysenit. Allahu e don atë që e do Hysenin. Hyseni është degë prej degëve të pemës së Ehli Bejtit..”

Mbas të vëllait ishte  10 vjet imam, që përkon me fundin e kalifatit të Muavijut dhe fillimi i kalifatit të Jezidit. Ai respektoi marrëveshjen e paqes që kishte firmosur Imam Hasani me Mavien. Ai nuk ndërmori  ndonjë  veprimtari kundër strukturës politike dhe u mjaftua me përgjegjësinë e kujdestarisë për nevojat fetare të njerëzve, duke u bërë i famshëm me dijet e buajrinë dhe përkushtimin e tij. Dhënia e betimit ishte një praktikë arabe e cila  zbatohej për çështjet e rëndësishme. Siç është ajo e mbretërisë dhe e qeverisjes. Imam Hyseni nuk pranoi të jepte betimin për të pranuar Jezidin si mbret. Për këtë ai u detyrua të largohej nga Medina e të qëndronte në Mekë si refugjatë. Gjatë kësaj periudhe populli i qytetit të Kufës dërgoi një mori letrash duke ftuar imam Hysenin të shkonte në Kufë e të vihej në krye të tyre për të udhëhequr një kryengritje kundër Jezidit. Nisur nga letrat që i kishin dërguar banorët e Kufës dhe shiitët e Irakut, Imam Hyseni, fillimisht dërgoi Moslem Ibn Akilin, të cilit i dha me vete letra për shiitët e Kufës dhe Basras dhe duke marrë përgjigjen e besës të banorëve të Kufës nëpërmjet Myslimit, në ditën e tetë të muajit Dhihixhe të vitit 60 hixhri, la Mekën dhe ikën drejtim të Irakut.

Prishja e besës nga ana e banorëve të Kufës dhe martirizimi i Myslim Akilit, tensionoi situatën në Irak, ai së bashku me familjen dhe shokët ishin duke udhëtuar drejt Kufës, para se të arrinin në këtë qytet u rrethua nga ushtria e Jezidit, në vendin e  quajtur “Qerbela”. Ai nuk u dorëzua ushtrisë së Jezidit dhe me një luftë titanike së bashku me shokët e tij u martirizua në ditën e Ashures me buzë të tharë nga etja për ujë.( 72 dëshmorë)

ASHURJA

Ditën e  dhjetë të Matemit, për t’i dhënë fund kësaj periudhe agjërimi, zhvillohet një ceremoni e fundit në teqe. Kjo ceremoni fillon në fund të natës së dhjetë, besimtarët pinë ujin e jetës, sherbetin dhe mbas kësaj vihet ashurja në zjarr dhe vazhdon të nesërmen “Dita e Ashures”. Ashurja është ëmbëlsira e posaçme që merr emrin e kësaj dite – Dita e dhjetë do të thotë Ashure. Ashurja të dhjetën ditë të muajit Muharrem shënon përvjetorin e vdekjes së Imam Hysenit në Qerbela. Ashurja gatuhet me grurë, ujë, nisteshte, fasule, bathë, misër, fiq të thatë, rrush të thatë, arra, sheqer (ose mjaltë, pekmez, musht), kanellë.

Në ceremoninë  fetare  recitohet me zë të lartë (nerthije) bëhen lutje fetare në një heshtjeje zie. Pastaj bëhen vizita, populli dhe besimtarët hanë ashuren. Ja si vijnë nëpërmjet vargjeve mesazhet e kësaj ngjarje: “Për Hysenë përgjërohen,/ Të dashurit afrohen,/ Edhe sonte njerëzia,/ Qajnë për ngjarjet e tija./ Jeziti me gjithe shokë,/ Nëmën kanë mbi kokë,/ Dhe këtu dhe natë jetë,/ Dhe ndaj Zotit të vertetë./ Kush do Muhamed Alinë,/ Dhe beson Perëndinë,/ Do Hasan dhe Fatimenë,/ Qanë për Imam Hysenë…”

CEREMONIA ZYRTARE

Ceremonia zyrtare e Ditës së Ashures, është në orën 10:30-11.30 të ditës së premte të datës 26 qershor 2026. Në vijimësi, Kryegjyshi Dede Edmond Brahimaj, pret vizita.

Njëkohësisht, pjesë e riteve të kësaj të dite të shenjtë, është edhe shpërndarja e ashures, për besimtarët dhe dashamirësit.

Fotot:Nuri ÇUMANI

Përgatiti faqet: Kujtim BORIÇI