Aktualitet

Nga mësues muzike në polic me 5 muaj kurs, ikën nga uniformat blu Neritan Nallbati; dora e zezë e krimit dhe call center-ave

Neritan Nallbati, një nga personazhet më kontroverse në polici, duket se nuk do të jetë më pjesë e uniformave blu.

Me ardhjen e Skënder Hitës, u hap gara për drejtuesit e gjashtë departamenteve kryesore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sot janë bërë publikë emrat që kanë shfaqur interes dhe ata janë: Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lutfi Minxhozi.

Pra, bie në sy fakti se Neritan Nallbati, aktualisht drejtor i Departamentit për Policinë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nuk ka garuar për këtë post.

Nga mësues muzike në polic me 5 muaj kurs, ikën nga uniformat blu

Nallbati ka pasur një karrierë mjaft kontroverse në radhët e uniformave blu. Referuar dokumentave të arsimimit, që “Pamfleti” i ka marrë nga dosja e tij personale në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, rezulton se Neritan Nallbati në vitet 1989-1991 ka kryer studimet 2-vjeçare për “Mësues i Ciklit të Ulët (Fillore)” në ish-Institutin Pedagogjik të Elbasanit.

Në periudhën 1 tetor 1991 – 28 shkurt 1992, pasi punoi 1 muaj mësues, Neritan Nallbati kreu kursin 5-mujor për polic me pagë nga shteti, kurs të cilin e ka deklaruar si “Studime në Akademinë e Policisë”.

Më 1 mars 1993, brenda 1 dite pas përfundimit të kursit 5-mujor për polic, Neritan Nallbati u emërua “Specialist” në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ku qëndroi deri më 31 dhjetor 1999, kur u emërua në Ministrinë e Brendshme dhe qëndroi deri më 1 shkurt 2001.

Me pozita të forta në ministrinë e Brendshme dhe lidhjet që kishte krijuar me botën e krimit, Neritan Nallbati shprehu dëshirën për të shërbyer në drejtorinë e Policisë Elbasan dhe e çuan atje më 2 shkurt 2002 deri më 21 prill 2002, ku riaktivizoi, fuqizoi dhe mbrojti grupet e krimit.

Pastaj filloi të bashkëpunonte hapur me krimin, më 22 prill 2002, Neritan Nallbati u transferua Drejtor Policie në Vlorë, ku veproi si “shef” i trafikantëve deri më 21 korrik 2003, kur me lobim të bandave të Elbasanit në kupolën e PS-së dhe Qeverisë, u rikthye Drejtor Policie në Elbasan.

Nga mësues muzike në polic me 5 muaj kurs, ikën nga uniformat blu

Atje qëndroi deri më 21 nëntor 2003, kur me presion nga EUROPOL dhe SHBA, vetë pushtetarët e PS-së e përjashtuan përgjithmonë nga Policia e Shtetit për lidhje me botën e krimit, por u punësua formalisht në bizneset e trafikantëve dhe ndërtuesve që kishte favorizuar.

Më 9 tetor 2013, pas 10 vitesh përjashtim, Neritan Nallbati u rikthye në polici, përsëri direkt në postin Drejtor i Qarkut Elbasan, ku riaktivizoi bashkëpunimin me bandat kriminale deri në mesin e vitit 2015, kur e transferuan Drejtor Policie në Fier, ku krijoi lidhje me bandat e krimit. Gjatë periudhës 31 maj 2017 – 21 korrik 2019, ishte në kabinetin e Drejtorit të Policisë së Shtetit; ndërsa më pas Drejtor Policie në Berat e Durrës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Prej datës 1 gusht 2022, mësuesi Neritan Nallbati me kurs 5-mujor për polic, është Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale të Shqipërisë

Po ashtu, Neritan Nallbati paraqitet si mburoja e perandorisë së mashtrimit me call center në Tiranë, si dora që fshihet pas goditjeve selektive, intrigave, dekonspirimeve dhe lojës së dyfishtë. Në vend po lulëzon perandoria e call center-ave, por në shumë raste aksionet kanë qenë selektive dhe, duke qenë se Nallbati drejton Policinë Kriminale, gishti drejtohet tek ai. /Pamfleti