Pak minuta para nisjes së protestës së 20-të kundër qeverisë, kryeministri Edi Rama është larguar me nxitim nga godina e Kryeministrisë me automjetin e tij zyrtar.
Momenti është filmuar nga qytetarë të pranishëm në zonë, ndërsa në sfond dëgjohen thirrje ironike të disa protestuesve ndaj kreut të qeverisë teksa ai hipën në makinë dhe largohet nga godina.
Në video dëgjohen disa protestues që quajnë ‘komandat’ Ramën.
Ngjarja vjen në një kohë kur në Sheshin Skënderbej janë mbledhur qytetarë të shumtë për të nisur marshimin drejt Kryeministrisë, në kuadër të protestës së radhës ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protesta e sotme është e 20-ta në seri dhe zhvillohet pas disa ditësh mobilizimi qytetar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Organizatorët kanë deklaruar se do të vijojnë aksionin e tyre deri në plotësimin e kërkesave që kanë paraqitur.
Ndërkohë, gjatë tubimit është bërë e ditur se nesër pritet të zhvillohet edhe një protestë kombëtare, me pjesëmarrjen e qytetarëve nga zona të ndryshme të Shqipërisë.
