Aktualitet

“Policia hodhi sprej lotsjellës, po më digjet lëkura”, aktivistja: Më zbritën nga ambulanca, morën vetëm efektivët

Pas përplasjeve të regjistruara gjatë protestës para Kuvendit, aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se mbeti pa ndihmë mjekësore edhe pse kishte nevojë për trajtim.

Kokaj tha se pas përdorimit të sprajit të hedhur nga Policia, ndjeu djegie të forta në trup dhe kërkoi ndihmë nga ambulanca.

“Jam para Parlamentit. Policia na hodhi piper. Ambulanca mori vetëm efektivët dhe mua më zbritën nga ambulanca dhe as ndihmën e parë nuk më dhanë. Ndërsa mua po më digjet lëkura. Duhet të marr ndihmë mjekësore sepse nuk durohet dot më”, u shpreh ajo për “News 24”.

Aktivistja deklaroi gjithashtu se, pas ndërhyrjes së Policisë, ajo dhe persona të tjerë u strehuan në një lokal pranë Kuvendit, ku mbetën të izoluar.

“Na futën këtu te kafja, kanë mbyllur derën e kafes dhe na kanë lënë vetëm”, shton ajo.

Policia e Shtetit dhe shërbimi i urgjencës nuk kanë reaguar publikisht lidhur me deklaratat e aktivistes dhe situatën në terren.