Aktualitet

Pas 33 ditësh protesta, reagon Ambasada Amerikane; paralajmërim sigurie për qytetarët e SHBA në Shqipëri

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar për herë të parë që nga nisja e protestave qytetare, të cilat kanë vijuar për më shumë se një muaj në kryeqytet.

Në një “Security Alert” të publikuar në faqen zyrtare, Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shqipëri të tregojnë kujdes, duke paralajmëruar se protestat në Tiranë vijojnë dhe mund të shtrihen edhe në qytete të tjera.

Sipas njoftimit, vëmendja është përqendruar te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Sheshi “Skënderbej” deri te Sheshi “Nënë Tereza”, përfshirë zonën përpara Kryeministrisë, ku prej 33 ditësh zhvillohen tubime të përditshme.

Ambasada thekson se, megjithëse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë me shpejtësi.

Demonstratat e mbrëmjes vazhdojnë përpara godinës së Kryeministrisë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim dhe potencialisht edhe në qytete të tjera. Edhe pse tubimet shpesh fillojnë paqësisht, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protestat mund të zgjerohen edhe në zona të afërta, përfshirë institucione të tjera shtetërore“, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Po ashtu, qytetarët amerikanë paralajmërohen për masa të shtuara sigurie dhe probleme në qarkullim.

Mund të ketë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh, devijime trafiku dhe vështirësi në qarkullim gjatë orëve para dhe gjatë protestave. Nëse ndodheni në një zonë proteste, rekomandohet të tregoni kujdes maksimal dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale“, njofton Ambasada Amerikane.

Ky është reagimi i parë publik i Ambasadës së SHBA-së lidhur me protestat që po zhvillohen prej më shumë se një muaji në Tiranë, ndërsa tubimet kanë hyrë tashmë në ditën e 33-të dhe organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e aksioneve edhe në ditët në vijim.