Aktualitet

I ndjek këmba-këmbës në rrugë, kush është Arvina Lleshi, aktivistja që po u fut tmerrin deputetëve socialistë (VIDEOT VIRALE)

Vajza imcake që kemi parë në radhën e parë të tubimit qytetar në bulevardin kryesor të Tiranës, Arvina Lleshi, është shndërruar ditët e fundit në aktivisten më të komentuar në rrjetet sociale për shkak të formës së veçantë të protestës që ka zgjedhur.

Është pikërisht e reja që po ndjek këmba-këmbës deputetët e Partisë Socialiste, në rrugë, para Parlamentit dhe në kafene, ku ata përpiqen t’i shpëtojnë vëmendjes së qytetarëve.

Mirëpo, Arvina Lleshi është gjendur në çdo rast aty. Ajo është bërë veçanërisht popullore në rrjetet sociale kur i doli përballë deputetit Tërmet Peçi dhe i brohoriste në fytyrë se ai nuk e përfaqësonte, ndërsa politikani socialist i jugut i zënë ngushtë u përpoq më kot ta injoronte.

Arvina ka është gjendur edhe përballë deputetëve opozitarë, duke ju kërkuar këtyre të fundit të japin dorëheqjen, nisur nga Gjin Gjoni, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Tomor Alizoti dhe të tjerët. Në rrugët e pranë Parlamentit apo dhe në afërsi të protestës, telefoni ka qenë arma e saj e vetme.

Sot, vajza imcake që herë prezantohet si studente, herë si aktiviste dhe në rrjet ka gjurmë si koordinatore e projekteve me Bashkimin Europian, i është vënë këmba-këmbës deputetit socialist të Fierit, Ramion Kurti, duke shënuar një përballje epike në hyrjen e Parlamentit.

Fillimisht nuk e njohu dhe pati një debat të shkurtër me të, ama sapo i thanë se zotëria i kollarisur ishte deputet, Arvina nxorri nga çanta vezët dhe nisi ta qëllonte.

Brohorimat e saj “nuk na përfaqësoni” dhe “jepni dorëheqjen” janë shndërruar në himn kundër deputetëve gjatë protestave te Parlamenti. Një skenë e ngjashme është regjistruar edhe me deputeten Milva Ikonomi, e cila lëvizte kokën në shenjë pohuese teksa Arvina i drejtohej nga jashtë gardhit metalik.

Ndjekjes së saj nuk i shpëtuan as deputetë të tjerë socialistë, duke përfshirë Evis Kushin, Olsi Komiçin, Erjon Malaj, etj, të cilët për të mos u përballur me turmën dolën nga prapa Parlamentit dhe u futën në një qendër tregtare.

Mirëpo, Arvina Lleshi ishte aty dhe ky koment nuk mund t’i shpëtonte. Madje ishte më perfekti për t’ua thënë në sy deputetëve socialistë se ata nuk përfaqësonin as atë, dhe as shqiptarët që prej më shumë se një muaj mbushin rrugët e kryeqytetit.

I fundit në radhë për aktivisten ishte deputeti tjetër përfaqësues i socialistëve të Fierit, Ceno Klosi. Me syze dielli dhe xhaketën në dorë, ai është futur qetësisht në qendrën tregtare pranë Parlamentit, derisa përballë tij ka dalë Arvina.

Ashtu siç kishte bërë më herët me kolegët e tij, aktivistja nisi t’i brohoriste në fytyrë dhe e ndoqi për disa çaste deri në ambientet e një biznesi, ku deputeti shkoi të konsumonte diçka. Thirrjet e Arvinës morën vëmendjen edhe të qytetarëve të tjetër, ndërsa nervozizmi i Ceno Klosit dallohej qartë në fytyrë.

Menjëherë pas kësaj situate, Arvina është larguar dhe deputeti ka vijuar rutinën e tij. Studentja e Fakultetit të Drejtësisë, ashtu siç është prezantuar për mediat në sheshin e protestës, raportohet se për këto “përndjekje” është proceduar nga Policia.

Informacionet për Arvina Lleshin janë të pakta në internet, pasi ajo është kujdesur që të japë detaje për formimin apo aktivitetin e saj, por megjithatë në rrjet kanë mbetur disa evente apo ngjarje ku ajo ka marrë pjesë si koordinatore projektesh e organizatave të shoqërisë civile, kryesisht Qëndresa Qytetare dhe Act fot Society.

Sipas disa raportimeve të hapura në internet, Arvina Lleshi është edhe pjesë e partisë së drejtuar nga Arlind Qori, Lëvizja Bashkë.