Aktualitet

Reshje intensive shiu dhe rrezik përmbytjesh në vend, paralajmërimi i meteorologëve për ditën e sotme

Shqipëria përfshihet sot nga një valë e re reshjesh të dendura shiu, të shoqëruara me shtrëngata dhe erë të fortë, ndërsa në disa qarqe paralajmërohet rrezik i lartë për përmbytje dhe rrëshqitje të dherave. Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, situata më problematike pritet të regjistrohet në qarkun e Shkodrës, ku reshjet do të bien me intensitet shumë të lartë.

Reshje të dendura, herë pas here me intensitet shumë të lartë, parashikohen gjithashtu në qarqet Kukës, Dibër dhe Lezhë, ndërsa moti i keq do të përfshijë edhe Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Në qarqet Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë kryesisht mesatare, por lokalisht do të shfaqen me intensitet të lartë.

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave paralajmërojnë se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave. Probleme me përmbytje të lokalizuara mund të shfaqen edhe në zonat urbane, ndërkohë që reshjet e vazhdueshme pritet të rrisin ndjeshëm prurjet dhe nivelet e ujit në lumenjtë Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.