Aktualitet

Shtrëngatat rikthehen të premten, Anira Gjoni: Përplasja e masave të ajrit shkaktoi stuhitë në rajon

Specialistja e gjeoshkencës, Anira Gjoni, e ftuar në “Now” me Ilir Kazaferin, foli për reshjet dhe shtrëngatat që përfshinë rajonin gjatë ditës së djeshme, duke shpjeguar edhe shkaqet e këtij fenomeni atmosferik.

Sipas saj, stuhitë e papritura u shkaktuan nga përplasja e një mase të ftohtë ajri mbi rajon me masat e nxehta që vinin nga veriu i Saharasë.

“Kjo ndodhi për shkak të depërtimit të një mase të ftohtë mbi rajon, e cila në përballje me masën e nxehtë që vinte nga veriu i Saharasë, ashtu siç jemi mësuar të kemi zakonisht këtë periudhë, pasi aktivizohet anticikloni afrikan dhe vazhdimisht na vijnë masa të nxehta me origjinë nga veriu i Afrikës. Përgjatë këtyre ditëve, duke qenë se u përplasën këto dy masa, shkaktuan mbi rajonin tonë prezencën e stuhive dhe shtrëngatave, të cilat i kemi pasur prezente prej mbrëmjes së djeshme dhe do t’i kemi në vazhdim deri në fund të javës”, sqaroi Gjoni.

Më tej, specialistja bëri të ditur se gjatë ditës së enjte pritet një përmirësim afatshkurtër i motit, ndërsa të premten do të rikthehen sërish stuhitë dhe shtrëngatat në të gjithë vendin.

“Duket se ka një përmirësim afatshkurtër sa i takon ditës së enjte, por për vendin tonë do të rikthehen sërish stuhitë dhe shtrëngatat përgjatë ditës së premte, të cilat do të nisin në veri të vendit dhe do të vijojnë në qendër dhe drejt juglindjes. Aktivitetin më të madh pritet ta kenë Tirana, Elbasani, Librazhdi dhe juglindja. Pritet të kemi reshje në formën e shtrëngatave lokale dhe do të prekin pothuajse të gjitha qarqet”, shtoi ajo.

Megjithatë, Gjoni theksoi se ulja e temperaturave nuk do të jetë drastike dhe se kushtet atmosferike do të mbeten të favorshme për pushuesit.

“Nuk pritet të ketë një ndryshim drastik. Do të ketë një freskim të tyre, sigurisht që është një ulje e konsiderueshme, por mbetemi në muajin korrik dhe temperaturat janë të favorshme për të vazhduar plazhin”, u shpreh specialistja.