Aktualitet

SKANDALI! Dyshohet se u vodhën 3 milionë euro, shkarkohet nga detyra dhe kallëzohet penalisht drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës

Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, është shkarkuar këtë të martë nga detyra, pasi një kontroll i ushtruar në institucion zbuloi mungesën e rreth 3 milionë eurove në llogaritë e filialit. Po ashtu Mataj është kallëzuar edhe penalisht.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Posta Shqiptare përmes një njoftimi zyrtar, ku thuhet se gjatë kontrolleve janë konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Po ashtu Posta Shqiptare thekson se ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe e ka referuar rastin në prokurori, duke depozituar kallëzim penal.

Pas zbulimit të këtij skandali  mësohet se, ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës në filialin e Postës në Durrës, Valbona Hoti Duni.

Kujtojmë se Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, pasi zëvendësoi Etleva Budinin, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.

Njoftimi i Postës Shqiptare:

Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.