Politikë

Telashe për Ramën në Uashington, kongresmeni republikan kërkon hetim për lidhjet e qeverisë me trafikun e drogës

Telashe të reja për kryeministrin Edi Rama. Këtë radhë haberet jo të mira për shefin e qeverisë shqiptare vijnë sërish nga Amerika.

Teksa qeveria Rama prej një muaji është në presion për shkak të protestave që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, kongresmeni republikan Joe Wilson ka depozituar në Kongresin Amerikan një amendament që kërkon nisjen e një hetimi nga institucionet amerikane mbi shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin që, sipas propozimit, mund të ketë pasur qeveria shqiptare në lehtësimin ose mundësimin e tij.

Amendamenti është paraqitur rreth dy javë më parë dhe, sipas procedurave parlamentare amerikane, ka kaluar tashmë në Komisionin e Rregullores dhe në Komisionin e Ligjeve. Hapi i radhës është shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare të Kongresit.

Telashe për Ramën në Uashington, kongresmeni republikan

Në tekstin e amendamentit kërkohet që Departamenti i Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, të hartojë një raport të klasifikuar për Kongresin.

“Jo më vonë se 180 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do t’u paraqesë komiteteve përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar, të përgatitur në përputhje me mbrojtjen e burimeve dhe metodave të inteligjencës i cili shqyrton shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë së Shqipërisë në lehtësimin ose mundësimin e këtij narkotrafiku”, thuhet në amendament.

Sipas propozimit, raporti duhet të dorëzohet brenda 180 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, në rast se amendamenti miratohet nga Kongresi Amerikan.

Joe Wilson nuk është një emër periferik në politikën amerikane. Ai është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe i Komisionit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri–SHBA dhe prej vitesh një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongres.

Së bashku me kongresmenin Robert Aderholt, ai është bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA në Kongresin Amerikan, strukturë që merret me forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Wilson është gjithashtu pjesë e drejtimit të organizimit të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në Shtetet e Bashkuara dhe njihet si një nga mbështetësit më aktivë të anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në qarqet politike amerikane ai konsiderohet si një nga kongresmenët republikanë më të afërt me presidentin Donald Trump dhe ka mbajtur vazhdimisht qëndrime për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, përfshirë zhvillimet në Ballkan.

Nëse amendamenti miratohet edhe në seancën plenare të Kongresit, institucionet amerikane të përmendura në tekstin e tij do të kenë detyrimin ligjor të përgatisin raportin e kërkuar dhe t’ua paraqesin komiteteve përkatëse të Kongresit brenda afatit të përcaktuar.