Tirana ka zyrtarizuar emërimin e Dean Klafuriç si trajnerin e ri të skuadrës së parë, duke hapur zyrtarisht një kapitull të ri në prag të sezonit 2026-2027. Lajmi u bë publik nga klubi bardheblu përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku u prezantua tekniku kroat.
“Me respekt për historinë. Me besim për të ardhmen. Mirë se erdhe, Dean Klafuriç“, shkruan klubi në mesazhin e mirëseardhjes.
Me mbërritjen në kryeqytet, Klafuriç ka nisur zyrtarisht detyrën në drejtimin e 26-herë kampionëve të Shqipërisë. Emërimi i tij konsiderohet si hapi i parë në ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, ku Tirana synon të rikthehet në garën për trofetë.
Në deklaratën e tij të parë si trajner i bardhebluve, Klafurić vuri theksin te puna në grup dhe respekti për identitetin e klubit.
“Besoj shumë te puna e përditshme, pasioni, dashuria dhe puna në ekip. Nuk kam ardhur për të ndryshuar ADN-në e Tiranës, por për të dhënë kontributin tim për klubin dhe për të ndihmuar lojtarët të japin më të mirën“, u shpreh trajneri kroat.
Me këtë emërim, drejtuesit e Tiranës synojnë të hedhin themelet e një projekti të ri, me objektivin për ta rikthyer skuadrën në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.
