Politikë

Tensionet te Kuvendi, Shehaj: Ministrat s’mund të fshihen pas policisë, protesta nuk ndalet

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara pranë Kuvendit, duke e cilësuar të papranueshme, sipas tij, largimin e ministrave dhe deputetëve të mazhorancës nga ambientet e Parlamentit, ndërsa protestuesit përballeshin me ndërhyrjen e policisë.

Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj pretendon se protestuesit u dhunuan për t’u hapur rrugë automjeteve të zyrtarëve dhe akuzon qeverinë se po përpiqet të shmangë përballjen me qytetarët.

Këta duhet të japin përgjigje, duhet të dalin para drejtësisë. Duhet të dalin para popullit të mbajnë përgjegjësi për mënyrën se si i kanë vjedhur dhe si ua kanë bërë jetën të pamundur shqiptarëve. Nuk mund të mendojnë se përmes policisë do të ndalin protestën dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet“, deklaroi Shehaj.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, protesta do të vijojë deri në arritjen e objektivit të saj, që ai e identifikon me dorëheqjen e qeverisë.

Ju ka ardhur fundi. Protesta nuk ndalet, protestuesit do të vazhdojnë deri sa ata të ikin“, u shpreh Shehaj.