Kronikë

Vrau ish-vjehrrin dhe mori peng ish-partneren, autori 35-vjeçar nuk i bindet RENEA-s; vijojnë negociatta për dorëzim

Vijojnë pa rezultat përpjekjet e Policisë për të bindur 35-vjeçarin Refit (Nertil) Buzi të dorëzohet, disa orë pasi ai vrau ish-vjehrrin dhe plagosi ish-vjehrrën në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Sipas informacioneve nga vendngjarja, negociatorët kanë zhvilluar edhe një tjetër komunikim me autorin e dyshuar, por ai ka refuzuar sërish t’u përgjigjet thirrjeve për vetëdorëzim.

Mësohet se 35-vjeçari vazhdon të qëndrojë i izoluar brenda automjetit të tij prej më shumë se tre orësh, ndërsa forcat e rendit mbajnë të rrethuar të gjithë zonën.

Në terren ndodhen efektivë të forcave speciale RENEA, përfshirë edhe snajperë, të cilët janë vendosur në pozicione strategjike dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë nëse situata del jashtë kontrollit.

Operacioni policor vijon prej orësh në përpjekje për t’i dhënë fund pa pasoja të tjera kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila tronditi Roskovecin. Sipas të dhënave paraprake, Nertil Buzi dyshohet se ekzekutoi me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, Arben Plaka, 55 vjeç, plagosi ish-vjehrrën Belere Plaka dhe më pas mori peng ish-partneren, të cilën e liroi pas rrethimit të zonës nga forcat RENEA. Ende nuk dihen motivet e plota të krimit, ndërsa hetimet vijojnë.