Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë i ndodhur mesditën e kësaj të mërkure në autostradën Tiranë-Elbasan, pranë rrethrrotullimit të TEG-ut.
Burime bëjnë me dije se nga ngjarja ka humbur jetën shoferi i betonieres, i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra pas rrëzimit të mjetit nga mbikalimi. Ndërkohë, një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe është transportuar drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, betonierja ka dalë nga rruga teksa lëvizte në pjesën e sipërme të mbikalimit dhe ka rënë mbi autostradën poshtë. Gjatë rrëzimit është përfshirë edhe një automjet tjetër tip Audi, i cili ka pësuar dëmtime të shumta dhe ka mbetur i plagosur shoferi i tij.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë shërbimet e policisë, zjarrfikësit dhe ekipet e urgjencës, të cilat ndërhynë për nxjerrjen e personave të përfshirë dhe normalizimin e situatës.
Për shkak të aksidentit, qarkullimi i automjeteve në autostradën Tiranë-Elbasan u bllokua përkohësisht, ndërsa policia devijoi lëvizjen e mjeteve deri në largimin e betonieres dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa paraprakisht nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të ketë ardhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë që regjistrohet në këtë mbikalim në pak vite. Rreth tre vjet më parë, në të njëjtin segment, një automjet tip “Audi” ra nga mbikalimi, duke shkaktuar vdekjen e tre të rinjve: Erisilda Abedini, Sikela Përroi dhe 20-vjeçarit Klevis Ruçaj.

