Ja si ka ndryshuar pasuria e familjes Berisha gjatë vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga ILDKP….
Argita dhe Jamarbër Malltezi kanë nisur të zhdukin gjurmët e pasurive të majme të vëna si gjatë kohës kur Sali Berisha ishte në pushtet, ashtu edhe më pas.
Teksa SPAK u ka sekuestruar me dhjetëra prona dhe procesi për dosjen “Partizani’ po vijon, Argita ka zbrazur thuajse gjithë llogarite bankare.
Sipas deklarimit për vitin 2025 në ILDKP, të sapo publikuar, Argita Malltezi ka reduktuar një sërë llogarish bankare në valuta të ndryshme. Konkretisht, rezultojnë të pakësuara depozita me 99,782.58 dollarë, 25,024.98 dollarë, 14,019.80 dollarë, 9,999.14 dollarë, si dhe llogari të tjera me 2,973.24 euro, 1,741,046.23 lekë, 1,860 lekë dhe 12 euro.
Në të njëjtën kohë, ajo deklaron edhe shtesa në disa llogari, përfshirë 1,905.14 euro, 306.71 euro dhe 264.70 dollarë, kryesisht të krijuara nga të ardhura dhe interesa bankare, ndërsa mban gjithashtu dy llogari rrjedhëse me balanca 13,200 euro dhe 5,000 lekë.
Nga të ardhurat, Argita Malltezi deklaron 37,174.99 euro nga qiratë, 3,840 euro nga veprimtaria profesionale pranë “Lapadula Albania” shpk, si dhe 29,774.07 lekë nga interesa bankare dhe bono thesari. Ajo deklaron gjithashtu të ardhura nga paga si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Sali Berisha deklaron shtim të dy llogarive bankare, një me 1,488,951.01 lekë nga të ardhurat nga paga dhe një tjetër me 3.09 dollarë nga interesat bankare. Ai ka deklaruar 2,637,853 lekë pagë si deputet, 416,344 lekë pension, 84,015.67 lekë të ardhura të tjera dhe 868.35 lekë interesa bankare.
Bashkëshortja e tij, Liri Berisha, deklaron pakësimin e një llogarie me 5,030.70 euro, ndërsa shton një tjetër me 202,248 lekë. Ajo ka përfituar 505,908 lekë pension dhe 1.52 euro interesa bankare.
Ndërkohë, djali i ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, deklaron shtimin e një llogarie bankare me 27,542.63 euro nga të ardhurat e biznesit dhe një tjetër me 5,350.19 lekë, ndërsa një llogari është pakësuar me 2,220 lekë. Ai deklaron gjithashtu një huadhënieje me 6,549,580 lekë, si dhe të ardhura prej 67 mijë euro nga tërheqja e dividendit dhe 6,413 euro pagë nga kompania “LOGAL” shpk.
Lëvizjet e shumta në llogaritë bankare të Argita Malltezit janë elementi më i spikatur i deklarimit pasuror të familjes Berisha për vitin 2025, në një periudhë kur procesi penal i SPAK ndaj Jamarbër Malltezit dhe masat e vendosura mbi një pjesë të pasurive të familjes vijojnë të jenë në shqyrtim gjyqësor. /Pamfleti










