Në Gjykatën e Durrësit po zhvillohet seanca për caktimin e masave të sigurisë për tre të dyshuarat për përvetësimin e fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, të cilat janë arrestuar nën akuzë. Bëhet fjalë për Elizabeta Matajn, e cila u shkarkua pak ditë më parë nga posti i drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana. Ato akuzohen se kanë abuzuar me rreth 69 milionë lekë të rinj, fonde të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Sipas Top Channel, gjatë seancës në gjykatë, prokurori i çështjes ka paraqitur detaje të tjera nga hetimi, duke përmendur edhe frekuentimin e kazinove nga ish-drejtoresha Mataj.
Kjo e fundit nuk e ka mohuar se ka frekuentuar ambiente të tilla, por është shprehur se nuk ka pasur asnjë ndalim ligjor apo kontraktual që ta pengonte të shkonte në kazino.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, ka deklaruar Mataj gjatë seancës.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar paratë që dyshohet se janë përvetësuar, ish-drejtoresha e Postës Shqiptare në Durrës është përgjigjur se nuk e di.
Ndërsa shefja e financës së filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Valbona Hoti Duni, mësohet se ka deklaruar para gjykatës se paratë e vjedhura nuk i ka mbajtur ajo, por i ka marrë drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, në zyrën e saj.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur mënyrën se si është realizuar skema, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin e shumës prej 69 milionë lekësh, e cila ishte parashikuar për pagesat sociale ndaj qytetarëve.
