Zgjedhjet lokale të 9 majit/ PS shqyrton emrat për 46 bashkitë, ja kush përflitet si kandidat në Tiranë dhe qytetet e tjera
6 muaj përpara zgjedhjeve lokale, partitë politike ende nuk i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre për 9 majin.
Megjithatë, në kampin rozë janë intensifikuar mbledhjet me mbajtjen e Asamblesë Kombëtare dhe Asamblesë së Tiranës.
Sfida më e vështirë e socialistëve do të jetë kryeqyteti, ku deri më tani brenda forumeve përfliten 3 emra si kandidatura të mundshme.
Ministri i Brendshëm Ervin Demo, zv.kryeministrja Albana Kociu dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, janë figurat politike që mund të garojnë për bashkinë më të madhe në vend.
Në 3 bashkitë e tjera të qarkut, pritet rikandidimi i Rakip Sulit në Kamëz, i Blerim Sherës në Vorë, ndërsa në Kavajë emri që përflitet për të kandiduar nën siglën e Partisë Socialiste është ai i drejtorit të spitalit, Arben Rugia.
Me hartën e re territoriale, Bashkia e Elbasanit do të jetë më e madhe, duke përfshirë edhe Belshin e Cërrikun. Pritet që mazhoranca të shkojë me kandidaturën e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, në këtë bashki.
Një tjetër bashki me peshë elektorale është edhe ajo e Durrësit. Një nga emrat që përflitet brenda kampit socialist për të garuar është ai i deputetit të qarkut, Ani Dyrmishi.
Megjithatë, fjalën e fundit për emrat e 46 kandidatëve për kryebashkiakë do ta thonë kryeministri Edi Rama dhe kryesia e Partisë Socialiste.
