Sport

Mile: Tirana mund të luftojë për titullin, ja pse Dinamo po vuan mungesën e rezultateve

I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, ish-futbollisti dhe trajneri Vangjel Mile komentoi rezultatet në Kategorinë Superiore, duke u ndalur te paraqitja e Tiranës përballë Vorës, ecuria e Skënderbeut dhe situata te Dinamo.

Sa i përket Tiranës, Mile u shpreh se barazimi me Vorën nuk mund të konsiderohet një zhgënjim në aspektin e lojës, por theksoi se bardheblutë po vuajnë mungesën e stabilitetit në formacion, për shkak të dëmtimeve dhe problemeve fizike të lojtarëve.

Megjithatë, ai vlerësoi se Tirana ka potencialin për të konkurruar për titullin kampion, pavarësisht diferencës aktuale në pikë me kreun e renditjes.

“Për mendimin tim, Tirana duhet të jetë në garën e parë për të konkurruar për titullin kampion, pavarësisht se duket larg me pikë. Kampionatit nuk i dihet, sepse diferenca është e vogël. Tirana ka stofin për ta bërë këtë gjë. Thjesht duhet të krijojë stabilitet në formacionin e saj dhe më pas të fillojë të marrë frytet e veta, pse jo, fitore pas fitores”, u shpreh Mile.

Duke u ndalur te Skënderbeu i cili fitoi ndaj Egnatias, ish-futbollisti vlerësoi ecurinë e skuadrës korçare, e cila sipas tij po tregon progres pas një periudhe ku loja nuk shoqërohej gjithmonë me rezultate pozitive.

Mile veçoi edhe punën e trajnerit Julian Mataj, për të cilin u shpreh se bën pjesë në pesë trajnerët më të mirë në Shqipëri.

“Skënderbeu vjen nga fitorja e pestë radhazi dhe dy barazime. Është një ekip që ka prodhuar lojë që në fillim të kampionatit, pavarësisht se nuk i ka ecur rezultati. Mendoj se ka kualitete brenda ekipit, por forca më e madhe e këtij ekipi është trajneri. Julian Mataj, për mendimin tim, është ndër pesë trajnerët më të mirë në Shqipëri. Ka një bagazh shumë të zhvilluar taktik dhe është një trajner i apasionuar”, tha ai.

Mile komentoi edhe humbjen e Dinamos përballë Elbasanit, duke theksuar se skuadra dinamovite nuk po kalon momentin më të mirë, megjithëse sipas tij ka zhvilluar ndeshje me lojë të mirë.

“Është për të ardhur keq që Dinamo ka shtatë javë që nuk po arrin të fitojë. Nuk është ajo Dinamo që kemi parë dhe që tregon klasifikimi. Për mendimin tim, ka bërë lojë shumë të mirë dhe luan mirë, por rezultati është pjesë edhe e fatit”, u shpreh Mile.