Sport

Superiore me “frena dore” në javën e 12-të, statistika që nuk shihej prej vitit 2024 (ARSYEJA)

Java e 12-të e “Abissnet Superiore” prodhoi statistikat më të dobëta për numër golash të shënuar. Vetëm 4 të tillë në 5 ndeshje të zhvilluara. E vetmja përballje që rezultoi pa gola ishte ajo mes Vorës dhe Tiranës.

Nëse krahasojmë të gjitha javët e deritanishme në kampionat, vihet re një rënie drastike e golave, ndryshe nga çfarë u reflektua që në start. Kulmi u arrit në javën e tretë ku u shënuan plot 19 gola, me një mesatare prej 3.80 golash për ndeshje. Krejt e kundërta me mesataren që prodhoi pikërisht java e fundit, 0.80 gola për takim, 5 herë më pak dhe dukshëm larg ritmit të javëve me intensitetin më të lartë.

Rastet nuk mungojnë, problematikë finalizimi

Duhet thënë se në fushë është luftuar në maksimum për të gjetur golat. Përmendim këtu rastet flagrante të Dinamos, ato të Tiranës apo edhe të Egnatias që nuk ishte në ditën e saj më të mirë. Çuditërisht, në metrat e fundit çaloi pikërisht finalizimi, edhe pse skuadrat që dolën me pikë të plota, në fund i falënderohen cinizmit dhe rezultatit.

Rikthehet rekordi i zi i vitit 2024

Një “thatësirë” e tillë me vetëm 4 gola në një raund nuk regjistrohej në elitën e futbollit shqiptar prej prillit të vitit 2024 (java e 30-të e sezonit 2023-2024). Arsyeja kryesore e këtij frenimi lidhet me pushimin dyjavor të kombëtareve, që u prishi ritmin skuadrave dhe i ktheu ato në fushë më të kujdesshme, por edhe me ngjeshjen e madhe të tabelës së renditjes, ku pesë ekipe ndahen nga vetëm 2 pikë dhe çdo gabim kushton shtrenjtë.

Asnjë javë nën 8 gola, bie ndjeshëm mesatarja në javën e 12-të

E vetmja javë që kulmoi me numrin më të pakët të golave ishte ajo e 8-ta, me 8 finalizime. Statistikë që tashmë “rifreskohet” me përditësimin e javës së 12-të, kur numri ulet në 4. Problematikë e theksuar për ngërçin e sulmuesve në Superiore.

Superiore me “frena dore” në javën e 12-të,