Eliminimi nga “play off”-i i Kupës së Botës ka sjellë një klimë negative në radhët e kombëtares shqiptare. Kuqezinjtë, të drejtuar nga trajneri Silvinjo, e nisën mirë përballjen duke kaluar të parët në avantazh, por nuk arritën të ruanin epërsinë ndaj Polonisë, e cila përmbysi rezultatin në 2-1.
Një nga momentet kyçe të takimit lidhet me Nedim Bajramin. I aktivizuar në rolin e sulmuesit kryesor, ai humbi një mundësi të artë në minutën e 54-të. Pas një aksioni individual të Elseid Hysajt, i cili përshkoi rreth 60 metra dhe depërtoi mbrojtjen kundërshtare, Bajrami u gjend i vetëm përballë portierit polak.
Megjithatë, në një situatë të favorshme për shënim, sulmuesi i kombëtares nuk arriti të konkretizojë, duke e dërguar topin jashtë. Ky episod konsiderohet vendimtar, pasi një gol i mundshëm në atë moment mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.
Pas përfundimit të takimit, ajo që bie në sy është mungesa e reagimit publik nga ana e Bajramit. Futbollisti nuk ka bërë asnjë postim në rrjetet sociale dhe nuk u shfaq para mediave për të komentuar ndeshjen, ndryshe nga disa prej bashkëlojtarëve të tij.
