Aktualitet

“Jemi vend importues i karburanteve, jo prodhues”, Ibrahimaj: Nafta është rritur me 24%, por po e monitorojmë çdo ditë

Kriza në Lindjen e Mesme ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve në tregjet globale.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, tha se që nga fundi i shkurtit, çmimi mesatar i naftës në Shqipëri ishte 173 lekë, ndërsa në mars çmimi ka pësuar luhatje, duke arritur maksimumin 215 lekë, që përbën një rritje prej 24%.

Ibrahimaj njoftoi se dje u mblodh Bordi i Transparencës për të diskutuar vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimit dhe për të garantuar mbrojtjen e konsumatorëve. Ajo theksoi se monitorimi i çmimeve do të vazhdojë në mënyrë të përditshme, për të parandaluar çdo abuzim, duke përfshirë edhe çmimet e shportës së ushqimeve, të cilat kanë pasur luhatje ditët e fundit.

Ibrahimaj: Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorimin ditor të çmimeve të karburanteve dhe kemi parë se që nga fundi i muajit shkurt, ku çmimi mesatar i naftës ishte 173 lekë, në muajin mars kemi pasur luhatje. Në maksimum çmimi ka arritur në vlerën 215 lekë. Duke parë maksimumin ne kemi pasur një rritje të çmimit të naftës prej 24%. Dje mboldhëm Bordin e Transparencës me qëllim diskutimin e çmimeve dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimit. Do të vijojmë të monitorojmë vazhdimisht çmimet. Në një situtatë kur çmimet po rritn në mënyrë të vazhdueshme duhet të jemi transparentë dhe të mos lejojmë asnjë abuzim për konsumatorët. Të njëjtën gjë po bëjmë edhe për çmimet e shportës së ushqimeve të cilat kanë pasur luhatje gjatë ditëve të fundit. Për këtë aryse kemi nisur monitorimin ditor.

Ndërsa e pyetur se çfarë mekanizmash do të përdoren për rikthimin e çmimeve në nivelet e parakrizës, Ibrhimaj sqaroi se Bordi nuk do të ndalë punën deri në stabilizimin e çmimeve.

Ibrahimaj: Sa i takon rikthimit të çmimeve në nivelet e parakrizës, siç e thashë kemi ngritur Bordin e Transparencës. Bordi nuk ka një afat të përfundimit të aktivitetit. Ne do ta mbajmë Bordin të ngritur derisa çmimet të stabilizohen deri në nivelet e parakrizës. Do të kujdesemi që çmimet e karburanteve të kthehen në nivelet e parakrizës nëse bursat kthehen në nivelin e parakrizës sepse ne nuk jemi një vend prodhues i kraburanteve, por jemi një vend importues. Kjo është arsyeja pse çmimet janë të ndikuara nga çmimet ndërkombëtare.