Luis Hasa ka vendosur që të përfaqësojë Shqipërinë. FIFA ka zyrtarizuar vendimin e mesfushorit, për t’u larguar nga Italia ku ka luajtur me moshat.
Lojtari i Napolit është aktualisht i huazuar te Karrareze në Serinë B. 22-vjeçari po bën mjaft mirë, pasi numëron 25 paraqitje me pesë gola të shënuar dhe tre të tjerë të asistuar.
Hasa luante me moshat e Juventusit, ndërsa ka provuar edhe stolin me bardhezinjtë. Kartonin e tij më pas e bleu Leçe. Në ekipin e parë të Leçes pati vetëm një paraqitje në Kupën e Italisë.
Pas Leçes ishte Napoli që investoi te mesfushori shqiptar. Njëjtë si te Juventusi, edhe te Napoli ka provuar vetëm të jetë në stol.
Hasa ishte pjesë e ekipit që u shpall kampion me Antonio Konten në edicionin e kaluar. Megjithatë, që nga java e 20-të dhe deri në fund të kampionatit qëndroi vetëm në stol.
