Ish-deputeti Myslim Murrizi ka reaguar ashpër ndaj politikës, duke e lidhur atë me ndikime të jashtme dhe struktura të shërbimeve sekrete serbe.
Duke iu referuar edhe një deklarate të kongresmenit amerikan Joseph DioGuardi, Murrizi shkruan se “shqiptarët kaluan nga komunizmi në korrupsion”, ndërsa sipas tij “liderët shqiptarë janë të kontrolluar”.
Në postimin e tij, Murrizi thotë se politikanët shqiptarë nuk janë thjesht të korruptuar, por “janë rekrutuar si bashkëpunëtorë të UDB-së”, duke i cilësuar ata si të varur dhe të shantazhueshëm.
Ai përdor një gjuhë të ashpër, duke deklaruar se drejtuesit politikë “mbahen me çengela në hundë e zinxhir në qafë si zagarë”, dhe sipas tij detyrohen të veprojnë “për llogari të serbëve dhe kundër interesave shqiptare”.
Murrizi lidh këtë situatë edhe me mungesën e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, duke shtuar se “Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që nuk ka pasur guxim t’i hapë”, pasi, sipas tij, në to “janë të përfshirë edhe bashkëpunëtorë të UDB-së”.
“Kongresmeni amerikan Joseph J. DioGuardi ka thënë një të vërtetë të madhe për politikën, por sidomos për politikanët shqiptarë.
Shqiptarët kaluan nga komunizmi në korrupsion, ka thënë, dhe që sllavët janë të mençur se i kanë blerë liderët shqiptarë dhe tani i kontrollojnë.
Në fakt, nuk i kanë blerë, por i kanë rekrutuar si bashkëpunëtorë të UDB-së, shërbimit sekret serb, në çdo kohë dhe i mbajnë me çengela në hundë e zinxhirë në qafë si zagarë, duke i detyruar herë pas here të lehin apo të veprojnë për llogari të serbëve dhe interesave të tyre kundër interesave shqiptare.
Kjo është dhe arsyeja e vërtetë që Shqipëria është i vetmi vend ish-komunist që nuk ka pasur kurrë guxim të hapë dosjet e spiunëve, ose siç quhen me “përkëdheli” bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit, ngaqë do t’u dalin horllëqet sheshit, sepse në ato dosje janë të specifikuar edhe bashkëpunëtorët e UDB-së”, shkruan Murrizi në “Facebook”.
