Teksa protestat para Kryeministrisë kanë hyrë në ditën e 35, Edi Rama prezantoi sërish sot paketën e re mbështetëse që, sipas tij është miratuar përmes Aktit Normativ të buxhetit 2026. Gjatë podkastit “Flasim”, kreu i qeverisë tha se rritja e ekonomisë përtej parashikimeve ka krijuar mundësinë për financimin e një sërë masash në mbështetje të qytetarëve.
Paketa përfshin bonus për pensionistët, fonde shtesë për medikamentet e pacientëve me kancer, rritje pagash për mjekët e urgjencës, si edhe dyfishim të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe fëmijët me nevoja të veçanta.
Duke u ndalur te bonusi për pensionistët, Rama tha se ai nuk lidhet me ndonjë proces elektoral, por me performancën ekonomike të vendit dhe mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shpërndajë të ardhurat shtesë.
Rama thotë se kjo paketë nuk është fushtë, po faktet dhe koha e lançimit tregojnë të kundërtën, teksa qeveria është nën presion prej 1 muaji tashmë nga protesatat që kërkojnë dorëheqjen e tij.
“Aprovuam një bonus për pensionistët. Një kujtesë këtu, sepse duhet kujtuar herë pas here ndonjë gjë, edhe pse kujtesa bëhet gjithmonë e më e shkurtër dhe gjithmonë e më shumë janë ata që nuk duan t’ia dinë se nga po vijnë. Por e thotë bukur Çurçilli që “kush harron se nga po vjen, nuk ka idenë se ku po shkon.
Kujtesa është që vjet u tha se bonusi i pranverës për pensionistët, i cili kishte të njëjtën logjikë, pra rritjen e ekonomisë dhe parimin që, në momentin kur ekonomia rritet dhe ne arrijmë t’i plotësojmë ato që kemi parashikuar e na mbetet diçka, ajo që mbetet duhet të ndahet me ata që kanë më shumë nevojë dhe pensionistët janë në radhë të parë ata. “E bënin për fushatë”, thanë. Jo. Ne nuk kemi asnjë fushatë. Fushatën tjetër e kemi në 2029-ën. Kështu që pensionistët morën një tjetër bonus, ku u fut edhe çdo qindarkë e përfituar nga rritja e panatyrshme e çmimit të naftës, si rezultat i krizës së luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit dhe asaj që ndodhi në Ngushticën e Hormuzit.
Pra, ne nuk futëm në buxhet asnjë qindarkë që erdhi më shumë nga taksat mbi naftën, por ua dhamë ato pensionistëve.”, tha Rama.
Kryeministri renditi edhe masat e tjera që janë përfshirë në paketën e miratuar, duke veçuar fondet shtesë për trajtimin e pacientëve me kancer, pagat e mjekëve të urgjencës dhe mbështetjen për shtresat në nevojë.
“Po kështu, ne vendosëm në dispozicion të të sëmurëve me kancer 15 milionë euro të tjera për medikamentet e tyre dhe vendosëm po ashtu rritjen e pagave të mjekëve të urgjencës. Heronj të vërtetë!
Vendosëm rritjen e garancisë sovrane për programin kombëtar që fillon së shpejti, të dyfishimit të ndërmarrjeve.Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar.
Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta. Kujtoj se vjet, falë edhe një gafe që unë bëra, për të cilën kërkova ndjesë, u bë problem çështja e fëmijëve autikë. Unë u zotova në atë fushatë se do ta dyfishonim mbështetjen për ta dhe e bëmë. Ashtu sikundër u dhamë edhe kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar apo të fëmijëve me aftësi të veçanta një mbështetje që ata e kërkonin prej kohësh, pa llogaritur këtu pastaj edhe pjesët e tjera që shkuan në drejtim të zhvillimit rural dhe të zhvillimit urban.”, tha shefi i qeverisë.
Në fund të deklaratës së tij, Rama komentoi edhe protestat që vijojnë prej më shumë se një muaji para zyrës së tij. Ai tha se qeveria po ndjek me vëmendje shqetësimet e qytetarëve që marrin pjesë në tubime, por bëri edhe dallimin mes protestuesve që, sipas tij, kanë shqetësime reale dhe atyre që i cilësoi si përgjegjës për tensionet dhe aktet e dhunës.
“Ky është një kryeshënim që nuk zuri shumë vend, sepse dihet se me çfarë po merret i gjithë sistemi i komunikimit dhe informacionit në Shqipëri. Ndërkohë që, nga ana tjetër, unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: “ujin e rrjedhshëm” të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe “koren e zezë” të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri.”, përfundoi kryeministri.
