Aktualitet

Iu mungonte energjia elektrike, aktivistja austriake u vjen në ndihmë çiftit të moshuar në malet e Velesit! U vendos sistem fotovoltaik me depozitim

Studiuesja dhe humanistja austriake Mariane Graf ka bërë publik rastin ku i ka ardhur në ndihmë një çifti të moshuar që jeton në malet e Velesit, në Lezhë. Sipas aktivistes, këtij çifti, ku bashkëshorti ka vështirësi në ecje, gjatë gjithë jetës i ka munguar energjia elektrike.

Për pasojë, në banesën e tyre mungonin pajisjet elektrike të domosdoshme për jetesën e përditshme.

Graf ka bërë të mundur që në banesën e çiftit të moshuar të instalohet një sistem fotovoltaik me depozitim, i cili siguron energji elektrike edhe për pompën e ujit.

Ky sistem fotovoltaik do t’i vijë në ndihmë gruas së moshuar, pasi do t’i zgjidhë problemin e furnizimit me ujë, të cilin deri më tani e siguronte duke e transportuar nga një shpat më i ulët drejt banesës së tyre.

Një vizitë e papritur në malet e Veles më preku thellë. Një çift i moshuar kishte jetuar gjithmonë pa energji elektrike dhe për këtë arsye pa pajisjet e nevojshme elektrike për shtëpinë, hapësirën e jetesës dhe punën e tyre. Meqenëse burri ka vështirësi në ecje, gruaja duhet të mbartë me mundim ujë për shtëpinë dhe kopshtin nga një shpat më i ulët. Vendosa ta zgjidhja situatën. U instalua një sistem fotovoltaik me depozitim, i cili gjithashtu siguron energji elektrike për pompën e ujit”, shkruan aktivisjtja austriake.

Marianne Graf është një studiuese, aktiviste, filantrope dhe autore librash. Ajo ka lindur në Austri. Që nga viti 1992 ia ka kushtuar jetën e saj zhvillimit të zonave veriore në Shqipëri dhe Kosovë sëbashkë me bashkëshortin e saj, Wilhelm Graf, me të cilin ka themeluar shoqatën e partneritetit, Shqipëri-Austri.