Besa e nis pjesën e dytë të sezonit me ndryshime në stol, ku pas largimit të Mirel Josës drejtimin e ka marrë Emiljano Çela. Kavajasit nesër janë përballë Burrelit, që sipas kalendarit i bie të jetë pritës. Por ky takim do të luhet nesër, ora 13:30, në Rrogozhinë, pasi në fazën e parë skuadrat ranë dakord që takimi i parë të luhej në Burrel.
Shkëmbimi u bë për shkak se Besa kishte probleme me stadiumin dhe palët ranë dakord që të bënin shkëmbin fushash.
Në këtë periudhë të merkatos së dimrit, Besa ka afruar dy futbollistë cilësorë, në mënyrë që të arrihet ngjitja në Superiore. Krahas Migones, afrimi i Bedri Grecës pritet të shtojë golat verdhezi për pjesën e mbetur të sezonit. Prej një jave i është bashkuar grupit nën urdhrat e trajnerit Emiljano Çela dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 34-vjeçari tregon arsyet pse zgjodhi Besën dhe pritshëmritë për pjesën në vazhdim me verdhezinjtë.
Preferuat t’i thoshit “po” ofertës së Besës. Përse…?
Fillimisht dua të falënderoj Elbasanin dhe tifozët verdheblu për gjithëçka që kanë dhënë për mua. Jam përpjekur t’ia shpërblej sa herë kam zbritur në fushë. Besa? Ishin disa faktorë që më bënë të them “po” pa asnjë dilemë. E para, bëhet fjalë për një klub me histori si Besa dhe me një plan të qartë për rikthim në Superiore. E dija se do punoja me një trajner si Çela, me të cilin kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer te Kastrioti, duke thyer rekord me 8 fitore radhazi. Pastaj, ndikoi fakti se i njoh lojtarët si Mazerekaj, Goxhaj, Frashëri, Mëllugja e të tjerë, që japin garancinë për një sukses të këtij grupi.
Një javë me Besën, keni një mendim rreth grupit të futbollistëve?
Më lart citova disa emra që kanë përvojën, nivelin e dëshirën për sukses, por gjeta edhe lojtarë të tjerë po me këtë ambicie e dëshirë. Çmoj mbi të gjitha harmoninë në ekip, marrëdhëniet dhe respektin. Për
vlerat e dyshes Çela–Kuli nuk po flas më, se nuk dua të keqkuptohem.
Si një lojtar me përvojë, a ka nevojë kjo Besë për prurje të tjera?
Ju e dini se krahas meje është afruar edhe Migone, një lojtar me vlera. Me sa di unë, në ekip do të vijnë edhe 2-3 afrime të tjera. Presidenti Bizhdilim me sa kam folur, kërkon futbollistë cilësorë dhe jo numra për të shtuar në ekip. Personalisht besoj fort se edhe nëse nuk do afrohej më asnjë futbollist, ky grup është i plotë dhe ka gjithë fuqinë të arrijë objektivin.
Kjo do të thotë se besoni fort te rikthimi në Superiore, por harruat se të njëjtin besim kanë edhe Flamurtari e Vora?
Nuk mund t’ia mohoj askujt dëshirën dhe ëndrrat për objektivat që kanë. Unë po flas për Besën dhe gjykoj se sfidat direkte me Vorën pas 3 javësh e Flamurtarin do të përcaktojnë jo pak, pa harruar se luhet edhe një fazë tjetër. Jo se sot luaj në Kavajë, por realisht mendoj se Besa duhet të ishte në krye dhe me diferencë pikësh. Mjafton të mos bënte aq “dhurata” në shtëpinë e saj, për më tepër po flas për ndeshjet ndaj Pogradecit dhe Apolonisë. Do mjaftonin vetëm këto 2 fitore ndaj tyre, që sot të ishim në krye. Pra, Besa duhet të mos falë më asnjë pikë dhe të mundim rivalët tanë direkt. Atëherë besoj se me jemi me njërën këmbë në Superiore.
