Trajneri Silvinjo do të vazhdojë me Kombëtaren e Shqipërisë, të paktën deri në korrik. Braziliani e konfirmoi në konferencën për shtyp, pas ndeshjes me Poloninë në transfertë. Tashmë mbetet në dorën e FSHF-së, pasi Silvinjo nuk heq dorë nga paga e tij në muajt e mbetur dhe nëse rrugët do të ndahen. Kështu respektohet edhe kontrata, që u rinovua para ndeshjes së “play off”.
“Kontrata është deri në muajin korrik dhe më pas do të vendosim. Ka qenë një rrugëtim prej tre viteve ku ka ndodhur çdo gjë, ka pasur lojtarë që kanë luajtuar 90 minuta të dielën dhe mërkurën, ka pasur lojtarë që nuk kanë marrë minuta fare dhe pa skuadër fare, ajo çfarë ka bërë diferencën është se kanë bërë mirë për ne, jemi një skuadër në rritje, jam krenar për mënyrën si janë prezantuar në ndeshje, ata lënë çdo gjë në fushë dhe kanë kënaqësi për të përfaqësuar Shqipërinë”, u shpreh Silvinjo në konferencë duke qartësuar situatën.
Shqipëria do të luajë miqësoren me Ukrainën më 31 mars. Ndeshjet zyrtare do të rikthehen në shtator, pikërisht me Ligën e Kombeve.
Silvinjo e drejton Shqipërinë që nga janari i vitit 2023. Gjatë kësaj kohe u kthye në trajnerin më të suksesshëm të Kombëtares. Kualifikimi në Europian dhe më pas arritja e fazës “play off” për Botërorin ishin pjesë e rrugëtimit të tij.
Humbja me përmbysje rezultati ndaj Polonisë ishte tonditësë në Varshavë, pasi Shqipëria e mbylli pjesën e parë me avantazh 0-1. Në 33 ndeshje ku Silvinjo ka drejtuar kuqezinjtë, janë arritur 15 fitore, 7 barazime dhe 11 humbje. Golavarazhi me 40 gola të shënuar dhe 29 të tjerë të pësuar është pozitiv për kuqezinjtë.
