Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, nuk e ka fshehur kënaqësinë për suksesin e radhës të skuadrës që drejton. Pasi ka mundur Betisin, Barcelona ka siguruar kualifikimin për në çerekfinalet e Kupës së Mbretit. Trajneri i katalanasve i kishte kërkuar vazhdimësi ekipit të tij pas triumfit në Superkupën e Spanjës kundër Realit dhe në fund ka marrë përgjigjen e duhur.
“Jam i kënaqur me paraqitjen e bërë nga skuadra. E kemi marrë shumë seriozisht çështjen e Kupës dhe Betisin. Kemi mësuar jo pak nga ndeshja kundër tyre në La Liga. Dhe në tërësi kemi bërë një paraqitje të plotë dhe e kemi merituar suksesin. Jemi në 8 më të mirat dhe objektivi është të vijojmë më tej me këtë ritëm”, deklaroi trajneri i Barcelonës.
Por si gjithnjë kërkues, Flik i ka bërë apel skuadrës që tani të mbajë ritmin edhe në La Liga, ku i duhet të zbusë deficitin që ka me dy klubet e Madridit. “Vazhdimësia në lojë dhe në rezultate është shumë e rëndësishme.
Tani duhet të vijojmë me këtë ritëm edhe në kampionat. Kemi disa pikë për të rikuperuar ndaj rivalëve, ndaj duhet të vazhdojmë të punojmë për tu përmirësuar. Sinjalet janë pozitive, ndaj të vazhdojmë kështu”, tha ai.
