Kulturë

Amaneti i Koço Qëndros: Mos mbani homazhe për mua

Koço Qëndro, aktori i njohur i teatrit të Korçës “Andon Zako Cajupi” vetëm një javë më parë se të largohej nga kjo jetë i ka lënë amanet njërit prej djemve të tij se trupin e tij të mos e çonin për homazhe në hollin e teatrit, amanet të cilin të tre djemtë kanë qënë të detyruar ta mbanin.

Qëndro nuk ka treguar arsyet që e kanë çuar në amanetin e fundit, por nisur nga ato çfarë Qëndro ka dhënë në intervistat e tij për media të ndryshme, ky amanet mendohet të ketë ardhur edhe për shkak të mosvleresimit të aktorit 99 vjeçar me një pension ndryshe nga ai i zakonshmi.

Lamtumirën e fundit aktorit të njohur Korça do ja japë në njërën prej agjencive funerale të qytetit.

I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Koço Qëndro e lidhi jetën dhe karrierën e tij me Korçën, qytetin ku u bë një nga themeluesit dhe artistët më përfaqësues të teatrit dhe estradës profesioniste. Me qindra role në skenë dhe në film, ai u shndërrua në një nga emrat më të dashur dhe më të vlerësuar nga publiku shqiptar.

Një nga interpretimet më të spikatura të karrierës së tij mbetet roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit. Ai e interpretoi këtë personazh në periudha të ndryshme të jetës, duke u rikthyer në skenë edhe në një moshë shumë të thyer dhe duke dëshmuar se pasioni për artin nuk njeh kufij.

Edhe në kinematografi, Koço Qëndro la gjurmë të pashlyeshme me interpretimet në filma si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe”, “Vendimi” dhe prodhime të tjera që konsiderohen pjesë e fondit të artë të filmit shqiptar.

Përtej aktrimit, ai dha një kontribut të çmuar në ruajtjen e historisë së teatrit korçar, duke dokumentuar kujtime, ngjarje dhe figura që kanë ndërtuar traditën e skenës shqiptare. Për veprimtarinë e tij u nderua me tituj dhe vlerësime të shumta, ndërsa së fundmi u shpall “Ambasador i Qarkut” nga Këshilli i Qarkut Korçë, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kulturën shqiptare.