Dy të vdekur dhe disa të plagosur është bilanci tragjik i stuhisë së fuqishme që goditi Shqipërinë mbrëmjen e së martës. Megjithëse moti është përmirësuar përkohësisht, rreziku nuk ka kaluar. Sipas meteorologëve, një tjetër përkeqësim i kushteve atmosferike pritet të godasë vendin gjatë ditës së premte.
Një nga viktimat është 54-vjeçari Bashkim Boçi, elektricist i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, i cili humbi jetën në Himarë gjatë kryerjes së detyrës. Ai po punonte për rikthimin e energjisë elektrike, pasi stuhia kishte shkaktuar dëmtime në rrjet, kur rripi i sigurisë që e mbante të lidhur me shtyllën elektrike u këput. Si pasojë, ai ra nga një lartësi rreth 9 metra dhe humbi jetën.
Viktima e dytë u regjistrua në Sarandë. Peshkatari 61-vjeçar Mihal Zoi u gjet i pajetë në ujërat pranë ishujve të Ksamilit, ndërsa mjeti i tij lundrues ishte fundosur. Sipas të dhënave paraprake, ai kishte dalë për peshkim dhe dyshohet se humbi jetën si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike dhe dallgëve të forta të krijuara nga stuhia.
Por çfarë e shkaktoi këtë fenomen të pazakontë atmosferik dhe a ka kaluar rreziku?
Meteorologu Hakil Osmani shpjegon se Shqipëria u godit nga dy sisteme të ndryshme stuhish, të cilat u zhvilluan pothuajse në të njëjtën kohë.
“Stuhia në jug të Shqipërisë ka qenë e shkëputur nga ajo që përfshiu veriun dhe zonat qendrore të vendit. Stuhia në gjysmën veriore ishte pjesë e periferisë së sistemit të fuqishëm atmosferik që preku Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ajo në jug u krijua nga fuqizimi i menjëhershëm i vranësirave në kanalin e Otrantos, si rezultat i shkëputjes së një qelize stuhish nga jugu i Italisë drejt brigjeve shqiptare. Ajo kaloi shumë shpejt mbi territorin tonë. Këto janë stuhi tipike që krijohen pas një përmbysjeje të tablosë sinoptike, kur temperaturat bien ndjeshëm pas vlerave shumë të larta. Dje temperaturat arritën deri në 40 gradë Celsius, ndërsa sot pritet të shkojnë në rreth 34 gradë. Pikërisht këto rënie të menjëhershme termike favorizojnë krijimin e stuhive të tilla. Një situatë e ngjashme pritet të përsëritet edhe ditën e premte, kur parashikohen stuhi afatshkurtra pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë“, shprehet meteorologu për “A2 CNN”.
Përveç dy viktimave, moti i keq shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale në disa qarqe të vendit. Saranda, Himara, Vlora, Kukësi dhe zona të tjera u përballën me përmbytje lokale, rrëzim pemësh, ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime në infrastrukturë. Probleme u raportuan edhe në sektorin e bujqësisë, ku erërat e forta dhe reshjet dëmtuan sera dhe kultura të mbjella.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar në ditët në vijim, duke shmangur lëvizjet e panevojshme gjatë stuhive, qëndrimin pranë pemëve, shtyllave elektrike apo strukturave të pasigurta, ndërsa peshkatarëve dhe mjeteve të vogla lundruese u është kërkuar të mos dalin në det në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

