Kafeja mund të ndikojë më shumë sesa mendoni në nivelin e stresit. Sipas studimeve të fundit, kafeina jo vetëm që rrit vigjilencën dhe energjinë, por stimulon edhe prodhimin e kortizolit, hormonit që lidhet me reagimin e organizmit ndaj stresit.
Ekspertët shpjegojnë se efekti është më i theksuar në orët e mëngjesit, kur niveli i kortizolit rritet natyrshëm. Konsumimi i kafesë në këtë periudhë mund ta shtojë edhe më tej këtë hormon.
Megjithëse luhatjet e kortizolit gjatë ditës janë normale, nivelet e larta për një kohë të gjatë mund të ndikojnë negativisht në shëndet. Përveç kësaj, kafeina mund të shkaktojë simptoma si rrahje të shpejta të zemrës, nervozizëm, pagjumësi dhe shqetësime në stomak.
Për personat që duan të reduktojnë konsumimin e kafesë, specialistët rekomandojnë që filxhani i parë të pihet më vonë gjatë ditës, të shmanget kafeina në orët e pasdites dhe mbrëmjes, si edhe të zëvendësohet gradualisht me alternativa si çajrat bimorë, uji ose kafeja pa kafeinë.
Ekspertët theksojnë gjithashtu se aktiviteti fizik, gjumi cilësor, meditimi, ushqimi i shëndetshëm dhe qëndrimi në natyrë janë mënyra efektive për të ulur stresin dhe për të mbajtur nën kontroll nivelin e kortizolit.
