Sport

Klubi i ri e bën zyrtare, futbollisti shqiptar lë Atalantën dhe prezantohet në skuadrën tjetër në Itali

Merkato e verës ka shënuar një tjetër lëvizje për mesfushorin e talentuar Endri Muhameti, i cili ka dhënë përsëri lamtumirën Atalantës, duke u huazuar për një tjetër sezon nga bergamaskët.

Futbollisti 21-vjeçar, me një të kaluar te moshat e Shqipërisë deri me ekipin U21, ka lënë Atalantën dhe është prezantuar te skuadra e Serisë C, Xhana Erminio. Kjo e fundit bëri të ditur se ka huazuar mesfushorin deri në verën e vitit të ardhshëm, por pa klauzolë transferimi.

Mesfushori ka qenë në huazim në sezonin e kaluar te Virtus Verona e më pas te Renate, ndërsa tani provon një tjetër klub mes profesionistëve.

“Jam i lumtur që nis këtë aventurë të re. Kam zgjedhur këtë ambient pasi mendoj se është vendi i duhur për t’u rritur dhe për të dhënë maksimumin. Falënderoj klubin, trajnerin dhe stafin e tij për besimin dhe pres me padurim që të vihem në dispozicion të ekipit”, tha Muhameti pas prezantimit në klubin e ri.