Aktualitet

Shteti shqiptar dha 4 mln euro për koncertin e tij, reagon Kanye West: Rama, faleminderit që ndërtove një stadium për mua

Artisti i njohur ndryshe si “YE” ka falënderuar kryeministrin Rama për ndërtimin e një stadium enkas për koncertin e tij…

Këngëtari Kanye West ka reaguar për herë të parë për koncertin e mbajtur dje në Tiranë. Me një fjali të shkurtër në rrjetin social “X”, artisti i njohur ndryshe si “YE” ka falënderuar kryeministrin Rama për ndërtimin e një stadiumi enkas për koncertin e tij, si dhe shqiptarët të cilët e mirëpritën.

“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë që ndërtuat një stadium dhe më mirëpritët në vendin tuaj të bukur”, shkruan Kanye West.

Vlen të theksohet se koncerti i West u përfshi në shumë polemika në vendin tonë, pas përfshirjes së qeverisë dhe përdorimit të fondeve të emergjencës për të mos lejuar anulimin e këtij eventi. Gjithashtu ka pasur dyshime se qeveria shqiptare mund të ketë investuar edhe më shumë para të tjera për ndërtimin e infrastrukturës, por kjo gjë është hedhur poshtë nga Ministri i turizmit dhe Kryeministri.

Ndërkohë që pak minuta më parë Rama në një mesazh në rrjetet sociale për koncertin, fajësoi protestuesti për shpërdorimin e 4.2 milion eruove nga fondi i emergjencave për koncertin e West. Sipas tij, protestat kundër qeverisë trembën turistët e huaj që kishin planifikuar të vinin për të parë koncertin.