Aktualitet

“I vunë kryqin” në rrugët e Tiranës, reagon Alban Skënderaj

Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar publikisht pasi portreti i tij u përfshi në aksionin e protestuesve në Tiranë, ku disa figura të njohura publike u shënjestruan për mungesë qëndrimi ndaj zhvillimeve të fundit në vend.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, këngëtari bëri të ditur se koncerti “MOTIV”, i planifikuar për muajin gusht në Vlorë, nuk do të zhvillohet sipas programit. Ai njoftoi se eventi është shtyrë për një afat të pacaktuar për shkak të situatës aktuale.

Sipas Skënderajt, projekti ishte përgatitur prej muajsh dhe përfshinte një angazhim të madh artistik e organizativ. Megjithatë, ai vlerësoi se rrethanat e krijuara e bënë të nevojshëm rishikimin e këtij plani.

Në reagimin e tij, artisti theksoi se muzika, sipas bindjes së tij, shërben për të afruar njerëzit dhe për të përcjellë shpresë, veçanërisht në periudha të vështira. Ai e mbylli mesazhin duke shprehur dëshirën që situata të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe qytetare.

"I vunë kryqin" në rrugët e Tiranës, reagon Alban

Vendimi i Skënderajt vjen pas debatit të krijuar në rrjetet sociale lidhur me qëndrimet e artistëve gjatë protestave. Ditë më parë, Yll Limani zhvilloi koncertin e planifikuar në Tiranë, çka u shoqërua me reagime kritike nga një pjesë e publikut.