Aktori i njohur shqiptar, Mehdi Malkaj, iu drejtua protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë me një mesazh kritik ndaj klasës politike dhe lidhjes së qytetarëve me partitë.
Gjatë fjalës së tij, Malkaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos identifikohen verbërisht me forcat politike, por të veprojnë si qytetarë të lirë dhe të pavarur.
Malkaj u bëri thirrje protestuesve që të shkëputen nga ndikimet partiake dhe të bashkohen si qytetarë të lirë.
“Ne shqiptarët kemi një vesh të keq shumë, biem në dashuri me partitë. Hiqini partitë! Është turp i madh! Një filozof të madh kur e pyetën për partitë, tha se janë grupe të organizuara hajdutësh që vjedhin popullin e vet!” deklaroi aktori i mirënjohur mes duartrokitjeve të qytetarëve.
Një protestues tha se sot populli ka vendosur shkarkimin dhe arrestimin e kryeministrit Rama për tradhti kombëtare.
“Nga sot, popull firmos, populli vendos! Nga sot, populli vendos shkarkimin e Edi Ramës dhe arrestimin e tij për tradhti kombëtare!”, tha protestuesi.
Një protestuese deklaroi se qytetarët janë lodhur nga padrejtësitë dhe se askush nuk e shet dot Shqipërinë. Më tej, shtoi se vetëm qytetarët janë ata që do ta heqin Ramën.
“Jam këtu si një qytetare, si një nënë. Jemi lodhur nga padrejtësitë, nga premtimet boshe, duam një shtet që respekton qytetarët. Kërkojmë drejtësi për fëmijët tanë. Shqipërinë tonë askush nuk e shet dot. Ramën ne e kemi vendosur dhe ne do e heqim”, tha protestuesja.
