Politikë

Marjana Koçeku shpërthen ndaj Ramës: Paketa e Maleve do t’i kthejë banorët e Thethit në lypsarë në tokat e tyre

Deputetja Marjana Koçeku e cila u largua nga PS, ka reaguar publikisht lidhur me “Paketën e Maleve”, vetëm pak ditë pasi kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Theth, ku mbrojti këtë nismë si një instrument për zhvillimin e zonave malore.

Në një mesazh drejtuar banorëve të Shalës, Shoshit dhe Pultit, Koçeku shprehet se Paketa e Maleve nuk përfaqëson zhvillim, por, sipas saj, shënon fillimin e një procesi që mund t’u heqë banorëve kontrollin mbi tokat e tyre.

Deputetja u bën thirrje banorëve të mos pranojnë premtime për zhvillim pa u garantuar më parë e drejta e pronës dhe kushtet bazë të jetesës, duke argumentuar se zhvillimi nuk mund të vijë duke i larguar njerëzit nga pronat e trashëguara.

“Të dashtun banorë të Shalës, Shoshit e Pultit,

Përfshimja e zonave tueja në Paketën e Maleve, siç asht ba e ditun këto ditë, nuk asht shpëtimi i atyne trojeve, por fillimi i nji tjetërsimi që pasojat ka me i pasë aq negative sa ju s’keni me mujtë ma me i kontrollue ato toka.

Nëse doni me qenë shërbyes e lypsarë n’tokat tueja, atëherë pranojeni hak Paketën e Maleve, por di me ju thanë se malet tona nuk futen në paketë, dhe se treva jonë ka ditë me e ruejtë identitetin e vet për shekuj me radhë. As nuk asht pushtu e as nuk asht shitë. Dhe ju duhet me e pasë parasysh, secili prej jush, se pushtimet gjithmonë kanë ardhë me maska të reja, që ju të mos i njihni.

Unë e di se, çfarëdo çmimi që ata munden me ju ofru, ju nuk i lëshoni tokat e t’parëve, qoftë edhe veç për faktin pse janë t’parëve… se malsori ka qenë dhe asht zot n’tokë t’vet. Por tash e vetmja mënyrë me jua marrë, asht tu spekulu përmes ligjit me pretekstin se ju do mundeni ma n’fund me i zhvillue ato toka, a ndërkohë nuk keni as tituj pronësie, as rrugë, as energji e as kushtet e nji infrastrukture që jua siguron nji gram jetë të mirë. S’keni ditë kurrë me i kërkue ato kushte!

Kështu që para se me pranue çfarëdolloj premtimi për “zhvillim”, kërkojeni njiherë atë çka ju asht mohue deri tash: pronën tuej, dhe të drejtën me vendosë vetë se çka bahet me pronën tuej. Zhvillimi që ju nxjerr prej tokës e ju kthen në vasalë e shërbëtorë të dikujt tjetër, nuk ka si me u quejtë zhvillim, përndryshe ju do ishit “zhvillue” me kohë.”, shkruan Koçeku.