Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar çmimin e lartë të naftës në Shqipëri gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale.
Sipas Berishës, çmimi i karburantit në vend është më i lartë se në vendet fqinje për shkak të nivelit të lartë të taksimit. Ai krahasoi Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, duke argumentuar se barra fiskale mbi naftën është më e rëndë se në këto vende.
Kreu i demokratëve akuzoi gjithashtu qeverinë se po favorizon një grup të vogël përfituesish, ndërsa fermerët detyrohen të blejnë karburantin me çmime të larta.
“Sot nafta shitet më shtrenjtë, e gjitha kjo sepse tatohet dy herë më shumë se në Maqedoni, se në Kosovë dhe se në shumicën e vendeve të tjera në botë. Nëse vendet e tjera për naftën kompensojnë të paktën nga 50-100% të saj për bujqësinë, në Shqipëri naftën me 500 lekë të vjetra litrin vetëm miliarderët. Dhe nuk ka injorim, cinizëm më të rëndë se ky.
Fermerëve ua shet me 2300 lekë, miliarderëve që vijnë të mbushin jahtet e tyre në Durrës me nga 1 milionë litra, ua shet naftën me 500 lekë, sepse sulltani i Surrelit është pushtuar nga një pasion i çmendur për luksin. Ka fiksim pas luksit dhe elitës së luksit, paçka se qytetarët i ka më të varfrit në Europë. Ua shet më shtrenjtë naftën, taksën e kanë më të lartë. Ai nuk thotë një fjalë të vetme”, tha Barisha.

