Aktualitet

Prokuroria dyshon se Elizabeta Mataj i la paratë në kazino, por bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit kallëzon ish-shefen e Financës: Ka pasuri të pajustifikuara

Vjedhja e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës duket se ka sjellë përplasje mes ish-drejtoreshës së këtij filiali, Elizabeta Mataj, dhe ish-shefes së Financës së Postës Durrës, Valbona Duni.

Mësohet se të hënën, bashkëshorti i ish-drejtoreshës, Feti Mataj, ka bërë kallëzim në Prokurori ndaj Valbona Dunit, duke e akuzuar se është përgjegjësja për abuzimin me fondet e destinuara për pensionistët e Shijakut.

Në kallëzimin e tij, Mataj pretendon se bashkëshortja e tij është bërë padrejtësisht përgjegjëse për skandalin financiar në Postën e Durrësit dhe se nën hetim duhet të jetë ish-shefja e Financës.

Ai pretendon se, nga verifikimet që ka kryer në mënyrë private, ka dyshime se Valbona Duni ka krijuar një pasuri të konsiderueshme, e cila, sipas tij, nuk justifikohet me të ardhurat e saj nga paga mujore prej rreth 60 mijë lekësh.

Sipas kallëzimit, ish-shefja e Financës dhe dy fëmijët e saj disponojnë automjete luksoze të viteve të fundit, me vlerë qindra mijëra euro, disa apartamente në Durrës dhe Tiranë, si dhe biznese të hapura vitet e fundit. Mataj pretendon se këto pasuri nuk kanë burime të ligjshme dhe kërkon që të hetohen.

Ai shton gjithashtu se bashkëshortja e tij, Elizabeta Mataj, u kishte raportuar më herët drejtuesve problematikat në sektorin e financës dhe shqetësimet që kishte konstatuar, por, sipas tij, ato nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Durrësit dyshon se Elizabeta Mataj i ka humbur në kazino paratë e përvetësuara. Sipas hetimeve, ajo ishte një frekuentuese e rregullt e ambienteve të lojërave të fatit dhe vetëm gjatë vitit të fundit rezulton t’i ketë frekuentuar ato më shumë se 330 herë.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Elizabeta Mataj, e cila gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë deklaroi se frekuentimi i kazinove nuk ndalohet nga ligji.