Aktualitet

Protesta e 28 nëntorit, mbi 2500 policë në terren; RENEA në gatishmëri, kontrolle edhe në kufi

Mbi 2500 efektivë policie, përfshi edhe civilë, do të angazhohen në Tiranë për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së thirrur më 28 nëntor. Tubimi do të nisë përpara Ministrisë së Arsimit, nga ku protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë. Në disa njoftime në rrjetet sociale është bërë thirrje për nisjen e protestës në orën 10:00, ndërsa në njoftime të tjera në orën 12:00.

Nga raportimet mësohet se efektivëve u është kërkuar të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve të mundshme dhe të veprojnë në përputhje me ligjin.

Në planin e masave janë përfshirë efektivë të gjashtë komisariateve të kryeqytetit, të cilët do të mbështeten edhe nga strukturat policore të Vorës dhe Krujës.

Gjithashtu, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet pikave të kalimit kufitar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, pas informacioneve për pjesëmarrjen e mundshme në protestë të grupeve të organizuara nga këto vende.

Në kontrolle mësohet se do të përfshihen edhe strukturat e Antiterrorit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare. Sipas burimeve policore, synohet identifikimi i personave që kanë bërë thirrje për dhunë ose për të cilët disponohen informacione se mund të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë publike.

Ashtu si në protestat e mëparshme, Policia e Shtetit ka parashikuar angazhimin e strukturave të specializuara në rast të përshkallëzimit të situatës.

Në gatishmëri do të jenë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, efektivët e repartit special RENEA dhe njësisë “Shqiponja”, si dhe automjetet ujëhedhëse me presion, të cilat mund të përdoren në rast të akteve të dhunshme.

Nën masa të shtuara sigurie do të jenë Ministria e Arsimit, Kryeministria, Kuvendi dhe selia e Partisë Socialiste.

Angazhimi i efektivëve në terren pritet të nisë prej orës 07:00 të mëngjesit.

Vëmendja e Policisë Rrugore do të përqendrohet kryesisht në Rrugën e Durrësit dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kufizimet dhe devijimet e qarkullimit të automjeteve do të përcaktohen në varësi të lëvizjes së protestuesve.

Masat e shtuara të sigurisë vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë protestave të mëparshme studentore, të cilat në disa raste janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.