Vizita e papritur, e shpresëdhënëse e Dritëro Agollit në Dibër në janar 1985, befasues për vështirësitë e motit me borë
Vizita e papritur, por shpresëdhënëse e Dritëro Agollit në Dibër në janar 1985, befasues për kohën dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të motit.
- -Dritëroi erdhi aty me helikopter bashkë me tre persoalitete të lartë të kohës, Simon Stefanin, Vangjel Çëravën dhe Anastas Kondon në datën 11 janar, pikërisht kur shpërtheu dimri.
- Në dimrin e madh të fillimvitit 1985 në Veri, ditën furnizonim popullatën, natën sprapsnim ujqërit që zbritën në trotuar .
- – Në Kukës, në fshatin Vilë, kufi Dibrës, Bushtricë, humbën jetën 25 banorë, u rrëmbyen nga orteku tri kulla.
- -Në Tropojë orteku zuri 3 vetë, Pukë 9, dy të vdekur, në Berishë të Epërme 7 vetë, 2 të vdekur, në Dibër në zonat Lurë, Zalldardhë dhe në Grykënokë pati nga një të vdekur, një pagator dhe dy barinj.
- -Në Dibër orteku rrëmbeu dy stalla të mëdha bagëtish të imëta me gjithë bariun.
ILIRIAN BALLAJ
Dimri i fortë i janarit të vitit 1985 e zbardhi gjithë Shqipërinë ndaj të gdhirë të datës një; pikërisht aty ku hidhte hapin e parë viti i ri. U duk si një mot i zakonshëm deri në datën 5, më tej u përkeqësua disi dhe në datën 9 janar shpërtheu. Më shumë ndodhi kjo në rrethet verilindore dhe më egër në Dibër. Dibra njihet sizmologjikisht si pika më e ftohtë e vendit si rezultat i korenteve të rrymave të ajrit, koridoreve, që kryqëzohen aty. Më shumë dëme në njerëz bëri në Kukës. Në gjithë vendin u krijua një situatë emergjente. Moti në veri solli borë, shi, ngrica e ortekë, në Shqipërinë e ulët me dalje lumenjsh, përmbytje e baltosje. U kufizua shumë kullotja e bagëtive në natyrë, e dhisë, e deles.Ai dimër ishte një sprovë dhe një test për të parë se në ç’nivel ishin strukturat e emergjencave civile, rezervat e shtetit, ai ishte një luftë e vërtetë. Ajo punë ishte edhe një kujtesë për shtetin se strukturat emergjente duhet të jenë, jo të ngrihen kur të zë halli.Dhe ta themi, strukturat ishin, ai dimër u përballua me disa humbje, por me sukses.

Në datën 9 shpërtheu duke bllokuar krejt rrugët në të gjitha zonat verilindore. Po edhe Nivosela u bë e pakalueshme, edhe nën Shkodra po ashtu nga përmbytjet, edhe Lezha, Këneta Durrës.U bllokua lëvizja e njerëzve në veri, mjeteve, u mbyllën shkollat, kopshtet, çerdhet, u ndërpre puna në disa sektorë.
Filluan raportimet për dëme, edhe njerëz. Në Kukës, në fshatin Vilë, kufi Dibrës, Bushtricë, humbën jetën 25 banorë, u rrëmbyen nga orteku tri kulla. Shpëtoi vetëm një vajzë pesë vjeçe.Në Tropojë orteku zuri 3 vetë, Pukë 9, dy të vdekur, në Berishë të Epërme 7 vetë, 2 të vdekur, në Dibër në zonat Lurë, Zalldardhë dhe në Grykënokë pati nga një të vdekur, një pagator dhe dy barinj, në Dibër orteku rrëmbeu dy stalla të mëdha bagëtish të imëta me gjithë bariun ( Ditari i Kryeministrisë 21 janar 1985). Më 10 Janar rrugët u bllokuan krejt edhe pse ruspa, fadromë, traktorë ishin në punë natë- ditë.

Temperaturat: 9 janar -27, 11 janar -30, 13 janar -22, 14 – 20. Bora në qytetin e Peshkopisë shkoi te 1.5 m dhe në Kalanë e Dodës 3 m, temperaturat zbritën te – 27 mesatarisht, dorezat metalike të dyerve në Peshkopi i veshën me beze se metali i ngrirë u rrëmbente lëkurën e duarve, njerëzit u mbyllën brenda pas datës nëntë, jashtë vepronte ushtria me zila bore dhe në krahë, ajo shpinte miellin nëpër furra, ajo shpinte bukët në dyqane, drutë e zjarrit te pallatet, ajo mori në dorëzim furnizimin e spitalit, rolin e ambulancës, hapjen e rrugëve brenda qytetit, evakuimin e të sëmurëve ku nuk shkonte helikopteri.
Fito rrugë me borë
Erdhën rezerva ushqimore nga ajri nga Tirana, u hapën rezervat e shtetit në Muhër, Prat, Lurë. Shtabi i emergjencës me administratë shtetërore, polici, komunale, ushtri, mjekësi, në këmbë ditë natë. Binte borë dhe shi bashkë, shiu ngrinte akull në pemë dhe bëhej masë e madhe, pastaj i rrëzoi pyjet në disa zona, edhe shtyllat e tensionit të lartë në vijën Kukës-Peshkopi-Librazhd u shëmbën, mullijtë e bluarjes, hidrocentealet elektrikë dolën nga puna nga akulli. Ekonomia e gjitha u bë ekonomi e luftës ku mbizotëronte ushtria. Në Dibër vepronin dy Divizione, një në Librazhd, një në Kukës, një në Pukë. Aty e pamë realisht se sa të mëdha, ta themi pse jo, ishin rezervat e shtetit për kohë lufte. Edhe sheqer kubikë të vegjël nga ai lindori kishte. Kishte konserva mishi e galeta të rusit, që nuk u prekën. U furnizua popullata përreth me veshje dimërore, batanie, çizme, elektromotorë, karburant për traktorët, ilaçe, detergjentë, ushqime si oriz, vaj, makarona, misër, grurë, aty pamë se ato ishin brënda përdorimit nga që freskoheshin çdo vit, të freskëta qenë rezervat e luftës, ato transportoheshin nga ajri në qytet. Me helikopter shpunë në Tepelenë edhe një të vdekur që u ndodh te djali oficer në Peshkopi. Në qytetin Peshkopi zbritën natën ujqërit e uritur, në Grykë Çaj vdiq në rrugë nga i ftohti një oficer, që për çudi, rreth tij gjetën shumë gjurmë ujqërish të nesërmen dhe nuk e kishin prekur. Ushtarë e policë në qytet ishin në patrullim me armë, i qëllonin ujqërit me gjurmëlënës, pleqtë nxorrën opingat prej lëkure lope me qimet nga jashtë për të mos rrëshqitur mbi akull. Ata këshillonin që ariun të kishim kujdes se ai batërdis dynjanë, sepse ujku dhe njeriu qënkan ndarë nga një zjarr, “ujku paska mbetur burrë i mirë e njeriu qenka fëlliqur”. Këto natyrisht ishin alegori dibrane. Fillimisht pastronin nga bora shëtitoren e blinave, ose tuneli quhej, pastaj e lanë pastrimin e borës duke komunikuar përmes monopateve mes saj ku humbiste njeriu.
Të gjitha për atë dimër të ashpër janë aq të vërteta sa i dinë vetëm ata që jetuan e shërbyen në Peshkopi në ato dy muaj tmerri, ata që e përballuan me ditë dhe me natë atë dimër për gati 2 muaj. Por, them se tmerri ishte për ne që shërbenim atje ditë e natë jashtë, sa që edhe bukën e hanim në këmbë, flinim gjumë pak e pjesë-pjesë, pa për Dibranët nuk se ishte shumë sëkëlldi, sepse ata me borën bashkëjetonin, dimrin e kalonin bashkë, rezerva krijonin, brenda ishin, madje bënin edhe ironi “rëntë kështu borë e të na i sjellin bukën ke dera!” Më shumë probleme patën zonat e ulëta Maqellarë, Shupenzë dhe Kastriot. Por edhe në rrethet si Lezhë ku në datat 13-15 janar u përmbytën 2700 ha tokë, në Fier 1800 ha, në Vlorë vetëm Akërni 1000 ha tokë nën ujë (Ditari). Të dhëna këto veç ditarit të kryeministrisë, edhe nga media e kohës.

Shteti në qendër dha mbështetje me hapje rrugësh, dërgoi rezerva, autorizoi aktivizimin e rezervave të luftës në rrethet verilindore, dërgoi helikopterë, ekipe, mjekë, alpinistë etj. Shtabi i emergjencës çdo natë ora 11 raportonte për punën, sillte shqetësime, merrte shqetësime, jepte detyra. Dritat në dikastere ndezur ditë natë. Në librin e drejtorit të xhenjos të ushtrisë Ramiz Feçori “Emergjencat e natyrës, si të mbrohemi”, ushtarakut dhe ingjinierit matian, shkruhet se puna që u bë atëbot është një përvojë e madhe sidomos kur trupat e emergjencës janë të ngritura, kur shteti i stërvit ato, kur ka programe, mjete, rezerva, njerëz, i pret dhe i kapërcen. Ai është një libër me shumë vlerë edhe sot.
Pati dëmtime në të imëta për mungesë ushqimi, nga të ftohtit. Fshatarët thanë: “na i ndani për shtëpi se do t’i mbajmë delet në vatër të zjarrit me fëmijët”, por nuk e bënë, sepse delte privatësia mbi kolektivin dhe, kur shkriu bora në prill, kutrëboi vendi nga kërmat e zbuluara e nuk shkoje dot rrugës nga qentë që për një muaj nuk u kthyen në lidhë, thoshin njerëzit në Sllovë, Sllatinë, Shumbat, Palaman, Venisht.
Pati edhe humbje jetësh, në Grykënokë një pagator miniere ra në humerë, e nxorri alpinisti Taxhedin Shehu pas shtatë ditësh nga 70 metra thellësi duke zbritur vetë me litarë mushke, edhe çantën me lekët një më një. Ndërsa në Kalanë e Dodës, pika më e lartë ku bora shkoi 3 m, pak shqetësime pati. Pata rastin të shkoja në Kala, Ceren, në datat 13-15 dhe pashë që burrat e Cerenit, Ploshtanit, me thasë misri në krahë zbrisnin në Çernjevë te mulliri, thyenin akullin që të lëvizte uji, e bluanin, ngjiteshin lart dhe e çonin në furrën e bukës, xha Mahmudi ( Hasani) kryetar i Këshillit të Bashkuar Kala e Dodës kërkonte llogari nëse ishin furnizuar me barë delet, lopët, kuajt në stallë dhe pastaj ia lëshonte domino e fërnetë me burrat e fshatit te klubi, madje kishte shkuar menjëherë të nesërnen e borës te reparti artmitralier me shumë ushtarë që ishte i dislokuar aty, kishte dhënë urdhër si një gjeneral t’i tërhiqnin menjëherë rojet nga Sorokoli, mal, në kufi, sepse moti tregonte se do të bëhej më i keq, “hingëllijnë kuajt natën në ahur, ulurijnë qentë në lidhë”, kishte thënë ai e “të zinin vetëm portën e Korabit”. Madje kishte urdhëruar komandant Foto Allkon ta çvendoste postën e kufirit nga lartësia poshtë në fshat, se i rehatonte ai me të gjitha, se nuk lëviz dot ujku, jo njeriu, kishte thënë. Kishte pirë një raki dhie (rrushi) Dhërmiu te komadanti i batalionit artmitralier Foto (edhe ai) Dumi, që vepronte direkt në kufi dhe i kishte porositur çunat t’i “bënin za” se aty ishte. Ai kishte marrë komandën e vëndit në Kala si në luftë. Bënte shaka të ëmbla:Si je xha Mahmud, e pyeta. Jam aq mair, sa lutet gruaja dyzetë herë në ditë: o perëndi kur do ta marrësh.
Mysafir i papritur e kanë quajtur Dritëronë në Dibër në janar 1985. Befasues do të thosha unë.
Dritëroi erdhi aty me helikopter bashkë me tre persoalitete të lartë të kohës, Simon Stefanin, Vangjel Çëravën dhe Anastas Kondon në datën 11 janar, pikërisht kur shpërtheu dimri. Nuk e pamë Dritëronë asnjëherë me ta në terrren, ai kishte ardhur në hesap të vet dhe meditonte me borën, sepse sikurse edhe e tha një mëngjes te turizmi “Dibrani i di punët e veta, e pastron vetë avllinë e tij”. Në një takim raportues, që për çudi vetëm atë ditë e pamë me prijësit në tribunë, nuk u përzie fare në udhëzime e mësime, vetëm tha me sportivitet: ore, po le të bjerë borë, se ca bëjnë duva që të mos bjerë, është puna të jemi ne mbi borën, jo ajo mbi ne dhe krisi e qeshura, se ja tha ai, (tekstualisht): bora është çkalitësi i tokës, jetë e ilaç i pemëve, është, hidrocentrali, mulliri, ajo vija që vadit, ose kanalet e Gani Tuçepit që sjellin ujë, ë ? Ai rezervuari, lumi, liqeni, po është edhe jorgani i të lashtave, qesh filizi i grurit nga e çara e plisit në nëntor, vëllazërohet në dhjetor dhe fle ndën dëborë, shpërthen në pranverë. Prapë plasi duatrokitja dhe e qeshura. Kështu them unë, e përfundoi. Të lumtë goja, foli fort nga salla Zihni Pijaneci ( mbiemri i vërtetë) drejtori i fermës qendër, na e ngrohe konakun, se u thamë (me pak ironi që po i mbanin gjatë në sallë pa ngrohje), ose me pak alegori dibrane. Prap qeshën me të madhe. E ke thënë bukur dhe me poezi, foli Ademi kryetari i frontit.
Dhe u mbyll mbledhja, se këmbët na ishin bërë dru.
Të gjithë të deleguarit kryesorë hanin bukë te Shtëpia e pritjes, Dritëroi atje flinte por bukë hante në turizëm me dibranë përreth, i detyroi edhe bufetieret, edhe drejtor Vraniçin të vinin në sallë që në pesë të mëngjesit. Të vetmin takim të shkurtër me të e patëm te klubi në turizëm një mëngjes herët. E gjetëm rreth orës gjashtë e pak të mëngjesit, zhytur në tym në sallë me një kafe e një raki para. Ne hymë dhe e përshëndetëm me dorë. Kishim qenë jashtë gjysmën e natës. Edhe pse u shkundëm ishim ngarkuar nga bora. Ai me gishtin tregues: ejani, ejani! Prap me gishtin tregoi, karriget. Eh, tha ai, kush të kishte edhe njëherë moshën tuaj! Ne menduam se do ti thoshte a u lodhët. Nga jeni? Unë: nga Vlora. Dukesh. Unë u shfillova dhe më erdhi goja. Pse? Se fole i pari, folke fort. U ngroh takimi. Po ti tjetri? Nga Korça, nga Maliqi i biri i Ali Shkëmbit? Ç’thua more. Po Aliu një pëllëmbë është, pleh kimik të ka hedhur? Ali Shkëmbi ishte hero i punës, drejtor ferme, deputet. Paske ngjarë më daitë mokrarë. Në Dibër, ka qytetërim, ka edhe jetë, tha. Dibra mban shtetin me kromin. Ja, tha, atje tej në Bulqizë punohet në galeri. Ishte veshur me një xhup të gjatë kaki ushtarak, kishte një kokore kozake, cigarja ndezur, pas çdo fraze bënte sikur pyeste:ë? Që do të thoshte: nuk di a u shpreha drejt, ju a më kuptuat.
Si e përjetoni Dibrën tani? Unë: Bukuri që vret. Ai: Edhe vret, por më shumë shëron. Apo jo, lab? Unë nuk e zgjata se edhe aq ai takim ishte shumë fare, një verë që e ndjen mrekullinë e e saj sa i hap shishen. Dritëroi dinte të shkruante, por dinte edhe të kuvëndonte shtruar me njerëzit.Kush u takua e nuk u mrekullua me të….. I nderuar, po na afron janari i dimrit të madh. le ta kujtojmë. KA SHUMË NDJEKËS .U NGRIT NJË SHTET NË KËMBË. GJALLË JEMI DHE NE SHËRBYEM ATJE .
