Politikë

“PS po shkon drejt shkatërrimit”, Spartak Braho tregon prapaskenat: Kandidatura e Braçes, lëvizje e re!

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Vetëofrimin e Erion Braçes për të kandiduar për drejtimin e Tiranës, Spaho e sheh si një lëvizje të re brenda në parti, ndërsa vetë Braçen si një socialist ‘bio’.

“Erion Braçe mbush 30 vite si deputet i PS. Është socialist bio. I dhimbset e majta, i dhimbset PS, ka qenë aktiv gjatë tërë jetës së tij parlamentare, por dhe biografisë politike. Unë e mbaj mend jo si drejtues dhe gazetar i talentuar, por dhe si aktivist të shquar të FRESH, një ekonomist brilant. U bë një eksperiment, e bëri Rama zv.kryeministër. E di unë që ishte një gjë formale që nuk mund të hanin të dy në një grazhdë. Braçe është serioz, me kualitet, intelektual. Erioni përfaqëson sot një lëvizje të re në PS që se ka pasur kurajon askush që ka mbetur”, tha Spaho.

Si një veteran e Partisë Socialiste, Braho ka kritikuar Edi Ramën, kryetarin e partisë dhe njëkohësisht kryeministrin e vendit, për mënyrën e drejtimit. Ai thotë se PS po shkon drejt shkatërrimit dhe se brenda në parti nuk ka demokraci.

“PS tani po shkon drejt shkërmoqes. Ka devijacion në idetë që përfaqëson tani, kryesisht nuk janë ide që anoncon e majta, ide social-demokrate. Tani në PS komandohet, nuk drejtohet. Rama komandon. Drejtimi i Ramës ngjan më shumë me një drejtues nacional-socialist, nuk ka demokraci në parti. Nano kishte defekte të tjera, por ishte një drejtues që e demokratizoi partinë dhe për këtë ka vlera”, tha Braho në “Sot, Live në Shqipëri”.