Politikë

“Rama përdor familjarët për të nxjerrë para jashtë vendit”, Berisha: Kryeministri hesht ndaj deklaratës së eurodeputetit Zdechovský

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me një deklaratë të eurodeputetit çek Tomáš Zdechovský, për të cilën tha se përmban akuza ndaj kryeministrit Edi Rama në lidhje me transferimin e parave jashtë vendit.

Në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, Berisha tha se kryeministri nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së eurodeputetit, duke e cilësuar heshtjen e tij si domethënëse.

“Sot jam këtu për deklaratën e anëtarit të Parlamentit Europian, i cili denoncoi dje në një nga mediat e Tiranës Edi Ramën si njeriun që përdor familjarët e tij për të transportuar para jashtë shtetit. Kjo deklaratë thekson se ne po ndjekim paratë, këtë veprimtari të Ramës me paratë e grabitura shqiptarëve ose paratë e trafikantëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.

Kreu i demokratëve e cilësoi deklaratën e eurodeputetit si “aktakuzën më të rëndë” të bërë ndaj kryeministrit nga një përfaqësues i institucioneve europiane dhe akuzoi Ramën se ka zgjedhur të mos përgjigjet.

Sipas Berishës, edhe media pranë qeverisë kanë shmangur raportimin e deklaratës së eurodeputetit.

“Teksa kanë kaluar 24 orë, Edi Rama nuk ka hapur gojë, ka heshtur si fija e barit. Rama dhe mediat e tij censurojnë akuzat publike të një europarlamentari të njohur. Kjo heshtje 24-orëshe nga një lajm i tillë turpëron çdo kompani media”, deklaroi Berisha.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kryeministri Edi Rama nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të Berishës. Akuza e përmendur nga kreu i PD-së mbetet një pretendim i bërë në deklaratë publike dhe nuk është provuar në një proces gjyqësor.