Politikë

Rudina Hajdari: Qytetarët të lodhur nga politika e vjetër

Në ditën e 25-të të protestës qytetare para Kryeministrisë, ish-deputetja e PD-së, Rudina Hajdari e sheh lëvizjen si një shenjë të lodhjes së qytetarëve nga politika që ka dominuar Shqipërinë për më shumë se tre dekada. Hajdari krahasoi klimën aktuale me atë të fillimviteve ’90, duke argumentuar se zhgënjimi ndaj klasës politike është rikthyer në qendër të debatit publik.

E ardhur nga Shtetet e Bashkuara për të mbështetur protestën, Hajdari tha se diaspora po e ndjek me interes zhvillimin e saj dhe e konsideron një moment të rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas saj, energjia që po shfaqet në shesh buron nga shpresa për ndryshim dhe nga pakënaqësia ndaj fenomeneve si nepotizmi dhe mungesa e meritokracisë.

Ajo përmendi edhe amanetin politik të të atit, Azem Hajdarit, duke nënvizuar se ndryshimi nuk mund të vijë nga një individ i vetëm, por nga angazhimi i një mase të gjerë qytetarësh që besojnë tek e ardhmja e vendit. Për Hajdarin, protesta nuk është thjesht një reagim ndaj një situate të caktuar politike, por një sinjal se një brez i ri po kërkon të marrë rol aktiv në drejtimin e vendit dhe të sfidojë modelin politik që ka dominuar Shqipërinë në 30 vitet e fundit.

“Ka qytetari, ka shpresë, ka një brez të ri i cili është mbushur kupa. Siç shihet që dhe sheshi ëahtë mbushur plot. Diaspora është shumë krenare për momentin entuziazmi ndihet më shumë andej se këtej. Është momenti i vetëm që Shqipëria ka qenë në hartën e botës. Shkëndija erdhi nga projekti Kushner-Trump, shërbeu si shkëndijë për të marrë hovine madh. Është një forcë mbinatyore që po po ndodh kjo protestë i ka përbërësit për të kaluar masat. Ka një forcë tjetër që po e ndihmon; besimi i fortë, shpresa për këtë vend që gjithë këta njerëz që e kanë keq përdorur dhe unë si bija e Azem Hajdarit e mendoj që amaneti i babait tim duhet të shkojë deri në fund. Dhe ky brez mund ta çojë atë në fund. Një person i vetëm nuk mund të bëjë asgjë, duhet një mori e madhe njerëzish që kanë dëshirë për vendin e vet. Shumë njerëz në protestë janë të lodhur nga nepotizmi. Është koha për ata të rinj që janë të aftë dhe unë nuk jam këtu për të dhënë shenjë që jam pjesë e kësaj lëvizjeje, por për t’i mbështetur këta të rinj që duan ndryshimin në vend”,-tha në ”A2cnn”.