Kronikë

“Vajza që hoqi flamurin izraelit e stërvitur”, Karamuço zbardh detaje: Janë shoqëruar në polici disa persona

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka komentuar disa nga episodet e ndodhura gjatë protestës në Tiranë, duke deklaruar se disa veprime të regjistruara gjatë tubimit nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë dhe mbartin ndikime të huaja.

Karamuço folur lidhur me incidentin e heqjes së flamurit izraelit, duke e cilësuar si një akt të organizuar dhe të papranueshëm.

“Ka pasur disa episode në protestë që unë nuk i pranoj dhe sigurisht që kanë ndikim të huaj, nuk janë fare shqiptare. E para, të hipësh në podium dhe të thuash se izraelitët duhet të dëbohen nga Shqipëria, ndërsa ai person del i radikalizuar”, u shpreh Karamuço.

Sipas tij, për incidentin me flamurin janë bërë disa shoqërime, ndërsa vajza e përfshirë kishte vepruar në mënyrë të koordinuar, duke hyrë nga krahu i Shtëpisë me Gjethe. Ai e konsideroi këtë një veprim të papranueshëm.

 “Janë bërë disa shoqërime për atë flamur. Ishte një vajzë e stërvitur, e cila nuk hyri nga krahu i ambasadës, por nga krahu i Shtëpisë me Gjethe. Kjo për mua është shumë e shëmtuar”, deklaroi Karamuço për “Euronews Albania”.

Eksperti theksoi se, pavarësisht qëndrimeve të tij kritike ndaj situatës në Gaza, përdhosja e simbolit të një shteti me të cilin Shqipëria ka marrëdhënie të gjata historike nuk mund të justifikohet.

“Unë kam folur për shfarosjen në Gaza, por kur vjen puna te përdhosja e simbolit të një shteti me të cilin ne kemi një histori të gjatë marrëdhëniesh, kjo është e papranueshme”, tha ai.

Profesori i kriminalistikës shtoi se vajza kishte qenë e maskuar dhe se disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga autoritetet.

“Ajo vajzë ka qenë e maskuar. Janë shoqëruar disa vajza dhe janë marrë në pyetje. Këta nuk janë qytetarët. Shfrytëzohet një moment i caktuar për të bërë këto veprime. Ata qëndrojnë në perimetër për të dhënë mesazhe të caktuara dhe për të njollosur Shqipërinë”, përfundoi Karamuço.