Aktualitet

Sot dita e 63-të e “Revolucionit Flamingo”, protestuesit shtojnë edhe një “shqetësim” tjetër: Reforma Territoriale

Ditën e sotme në Tiranë është duke u zhvilluar prej rreth dy orësh protesta e 63-të kundër klasës politike në vend, ku mësohet se ka pasur edhe qytetarë të cilët janë bashkuar nga diaspora. Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u vendosur më pas përpara godinës së Kryeministrisë, ku edhe prej rreth 2 orësh po mbahen fjalimet si gjithmonë.

Ndërkohë ajo që është vënë re ditën e sotme, është shtimi i një “shqetësimi” tjetër për qytetarët dhe aktivistët, propozimi i PS për reformën territoriale dhe parashikimi i shkrurjes së disa bashkive.

“Përveç protestës në Tiranë, këto ditë janë mbajtur edhe protesta në qytete sepse kjo bashki kërkon të shkrijë një sërë bashkish të vogla. Sot ishim në Belsh për t’i mbështetur. Sot iu bëj thirrje të gjithëve që sot duhet të jemi për decentralizim sepse autokratët të lidhur me krimin po mbajnë pushtetin në duart e tyre”, tha një prej aktivistëve

Ndërsa edhe një tjetër bëri thirrje që të mbështetet edhe protesta e qytetarëve të bashkive që po shkrihen nga qeveria aktuale.