Shëndetësi

Virozat e traktit tretës, mjeku tregon shenjat alarmuese: Mos i neglizhoni këto simptoma!

Mjeku Erion Dasho ka dhënë disa këshilla për virozat e traktit tretës, duke bërë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht te fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

Dasho shpjegoi se virozat e traktit tretës shoqërohen zakonisht me simptoma si dhimbje barku, të përziera, të vjella dhe diarre.

Sipas tij, shqetësimi kryesor lidhet me humbjen e lëngjeve nga organizmi, e cila mund të bëhet e rrezikshme në grupet më të ndjeshme të popullsisë.

“Zakonisht virozat që prekin traktin tretës japin shenjat tipike për këtë trakt, duke filluar nga dhimbjet e barkut, të përzierat, të vjellat. Në momentin që të përzierat, të vjellat dhe sidomos diarreja janë të shprehura dhe fillojnë të ndikojnë në gjendjen e përgjithshme, sidomos te fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, është momenti kur duhet kërkuar ndihma mjekësore”, u shpreh Dasho në Ora News.

Mjeku theksoi se në pjesën më të madhe të rasteve këto viroza janë të vetëkufizuara dhe kalojnë brenda pak ditësh, nëse bëhet zëvendësimi i lëngjeve dhe elektroliteve të humbura përmes të vjellave apo diarresë.

Ai shtoi se nevoja për trajtim mjekësor është më e madhe te personat me sëmundje kronike, të cilët kanë një sistem imunitar më të dobësuar dhe mund ta përballojnë më vështirë infeksionin.

Sipas Dashos, nëse simptomat zgjasin më shumë se disa ditë ose gjendja e pacientit përkeqësohet, kjo është një shenjë që kërkon vlerësim nga mjeku.

“Përgjithësisht këto janë viroza që kalojnë brenda disa ditësh dhe organizmi rikthehet në normalitet. Zgjatja e simptomave përtej kësaj periudhe është një tregues që duhet kërkuar ndihmë mjekësore”, përfundoi ai.