Kronikë

Zjarr në dy banesa në Berat, flakët rrezikuan një objekt monument kulture

Një zjarr ka rënë sot në dy banesa të pabanuara në lagjen “Çlirim” në qytetin e Beratit.

Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në bahçet e dy banesave dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era.

Kanë qenë banorët ata që kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës, i cili ka mbërritur në vendngjarje me tre mjete. Në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe forca të Policisë.

Zjarri u përhap edhe drejt çatisë së një objekt monument kulture, por ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, duke shmangur dëme më të mëdha.

Forcat zjarrfikëse vijojnë të monitorojnë zonën për të shmangur riaktivizimin e vatrave të nxehta.

Pranë vatrës së zjarrit ndodhej edhe një automjet tip “Ford”, i cili pësoi dëmtime në pjesën e përparme, por u largua në kohë nga vendi.

Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.