Me hapa të ngadaltë, ndërsa ecën tek të 94-at, Tinka Kurti u shfaq dje në Kalanë e Prezës me miq e shumë të ftuar. Me buzëqeshjen që nuk iu nda në asnjë moment. Me tituj e kurora që i ka vendosur mbi kokë prej kohësh, me të madhin “Nderi i Kombit”, nga dje, ajo përkëdheli me duar çdo fotografi që rrëfen jetën e saj artistike, e eci mbi kalldrëmet e rregulluara të atij që nga dita e djeshme do të quhet “Shtegu Tinka Kurti”.
E pa një vlerësimin të tillë në gjallje dhe do ta marrë me vete përgjithmonë si kujtim jete, që kaloi me jo pak vuajtje personale, pavarësisht shkëlqimit në skenë dhe sadisfaksionit që ka marrë nga publiku.
Nën kujdesin e madh të Albanian Excellence të drejtuar nga Flora Nikolla, dhe shtëpisë së të moshuarve ku Tinka Kurti është duke qëndruar, Bashkia e Vorës organizoi dje ceremoninë e përurimit në ambientet historike të Kalasë së Prezës, të shtegut “Tinka Kurti”.
Për të festuar me artisten e madhe kishin ardhur miq të shumtë. Zyliha Miloti e Rita Gjeka nga Shkodra, Zamira Kita që moderoi dhe aktivitetin nga Korça, politikanët Namik Dokle por edhe Neritan Ceka, e madhja Marjeta Larja, Flora Nikolla, Silvana Braçe, Irena Toçi e shumë gra të shquara në jetën intelektuale shqiptare.
Mes fjalëve të falenderimit për bashkinë e Vorës dhe këshillin bashkiak të qytetit për vendimin, me urimet e pafundme të miqve të shumtë që kishin ardhur në ceremoni, Tinka Kurti u shfaq e lumtur.
“Ju më bëtë të lumtur, ju faleminderit shumë. Më keni dhënë gjithcka të mirë, përkujdesjen, dashurinë dhe gjithë mirësitë. Faleminderit të gjithëve”, tha Tinka Kurti mes emocionesh.





