Sport

Moviola e Real Madrid-Barcelona/ Gil Manzano i fal të kuqin Kamavingës, VAR-i i jep një dorë

Moviola e Real Madrid-Barcelona/ Gil Manzano i fal të kuqin Kamavingës, VAR-i i jep një dorë

Finalja e Superkupës së Spanjës mes Realit dhe Barcelonës ka pasur disa momente të diskutueshme, duke nisur që nga goli i Mbapesë. Lojtarët e Barcelonës kanë protestuar për një faull të Viniciusit në dëm të Kasados në nisjen e aksionit të golit të Realit.

Por për gjyqtarin Manzano dhe VAR gjithçka ka qenë korrekte (5’). Momenti i dytë ka qenë faulli i Kamavingës mbi Gavin. Manzano ka lejuar vazhdimin e lojës, por ka qenë VAR-i që ka korrigjuar atë, pasi ndërhyrja e Kamavingës ndaj Gavit ka qenë e pakujdesshme me taka në kofshën e mesfushorit të Barcelonës. Pas shikimit në ekran, Manzano ka akorduar penallti për Barcelonën dhe ka ndëshkuar me të verdhë Kamavingën.

Rasti i radhës ka qenë pak para fundit të pjesës së parë, me Kamavingën protagonist. Ai ka bërë një tjetër ndërhyrje të gabuar në dëm të Lamin Jamal, por gjyqtari Manzano ia ka falur kartonin e dytë të verdhë francezit, që ka qëndruar në dhomat e zhveshjes i zëvendësuar nga Sebajos.

Momenti i fundit ka qenë ai i kartonit të kuq për Sheznin. Portieri ka shkaktuar një faull ndaj Mbape që nuk është sinjalizuar nga Manzano që është thirrur nga VAR dhe ka ndryshuar vendim, duke akorduar faull për Realin dhe nxjerrë nga loja portierin e Barcelonës.